Hahn: Shqipëria i ka përmbushur detyrimet

Mos i humb

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka realizuar një vizitë në Bruksel, ku është takuar me përfaqësues të Bashkimit Evropian(BE), në prag të vendimit në lidhje me procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Rama është takuar me komisionerin e BE-së për Politikën Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, ndërsa në një prononcim për media, u ndalën në çështjen e vendimit të pritshëm mbi procesin e negociatave BE-Shqipëri. Sipas njoftimit nga Kryeministria e Shqipërisë, Hahn ka theksuar se e konfirmojnë që Shqipëria i ka përmbushur detyrimet.

“Kishim një marrëveshje bazuar mbi një vendim unanim të të gjithë vendeve anëtare për 5 prioritetet kyçe, mbi të cilat përpiluam një vlerësim vjet, përsëri këtë vit bëmë një vlerësim dhe rekomanduam këtë vit, njësoj si vitin e kaluar, që të nisin negociatat. Nëse nuk ndodh sot, sepse është agjenda e Këshillit Evropian, nuk do ishte për ndonjë dështim të Shqipërisë, apo qeverisë së vendit. Është një çështje që lidhet me dinamikat e brendshme të Evropës”, është shprehur komisioneri evropian.

Ai tha se janë jashtëzakonisht të përkushtuar që të vazhdojnë përpjekjet e përbashkëta, për të përmirësuar kushtet e jetesës në rajon dhe veçanërisht në Shqipëri.

Ndërsa kryeministri Rama, duke folur rreth procesit të integrimit evropian, tha se Shqipëria e ka bërë atë që i është kërkuar.

“Përtej faktit që çfarë kemi bërë ne dhe çfarë duhet të bëjmë, jemi në kushtet kur në Këshillin Evropian diskutohet për çfarë duan, apo nuk duan të bëjnë vetë anëtarët e familjes për familjen e tyre, pasi dihet që një anëtar i rëndësishëm i familjes kërkon një qasje tjetër të të gjithë familjes ndaj këtij procesi”, theksoi Rama.

Kryeministri i Shqipërisë është shprehur se duhet kuptuar që të vazhdohet me procesin e reformave, sipas tij, “sepse nuk i bëjmë pse po na i kërkon Brukseli, Londra, Parisi, apo Berlini, por i bëjmë sepse na i kërkon nevoja që t’u lemë fëmijëve tanë një Shqipëri evropiane, me institucione demokratike, me një shtet institucional të së drejtës dhe një ekonomi me standarde të Bashkimit Evropian”.

Rama gjatë vizitës në Bruksel është takuar edhe presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk.

Shqipëria është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që nga viti 2014 dhe është në pritje të vendimit në lidhje me negociatat e anëtarësimit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit