Haley organizon pritje për shtetet që votuan kundër rezolutës në OKB

Mos i humb

Përfaqësuesja e Përhershme e SHBA-ve në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Nikki Haley, ka ftuar në një pritje përfaqësuesit e shteteve të cilët kanë votuar kundër, kanë abstenuar apo që nuk kanë marrë pjesë në votimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Kudsin.

Në letrën e ambasadores Haley thuhet se pritja për shtetet në fjalë do të mbahet më 3 janar ditën e mërkurë, “në shenjë falënderimi për miqësinë e treguar me SHBA-të”.

Projekt-rezoluta e titulluar “Kudsi Lindor i okupuar nga Izraeli dhe aktivitetet e tij në territoret palestineze”, e përgatitur me iniciativë të Turqisë, u miratua në AP-OKB me 128 vota pro dhe 9 kundër, pavarësisht kërcënimeve të SHBA-ve, ndërkohë që 35 shtete abstenuan, kurse 21 shtete nuk morën pjesë në votim.

Përveç SHBA-ve dhe Izraelit, kundër rezolutës për Kudsin në AP-OKB votuan edhe Guatemala, Hondurasi, Ishujt Marshall, Mikronezia, Nauru, Togo dhe Palau.

Përvec kësaj, shtetet që abstenuan ishin Australia, Antigua-Barbuda, Argjentina, Ishujt e Bahamas, Benini, Butani, Bosnjë e Hercegovina, Kanadaja, Kroacia, Çekia, Dominika, Guinea Ekuatoriale, Fixhi, Haiti, Xhamajka, Letonia, Lesoto, Kameruni, Kolumbia, Kiribati, Malavi, Hungaria, Meksika, Panamaja, Paraguaji, Filipinet, Polonia, Rumania, Ruanda, Ishujt Solomon, Sudani i Jugut, Trinidad-Tobago, Tuvalu, Uganda dhe Vanuatu.

Haley gjatë fjalimit të saj në AP të OKB-së kishte reaguar ashpër dhe ka kërcënuar shtetet anëtare që të mos votojnë kundër vendimit të SHBA-ve.

“SHBA-të do të zhvendosin ambasadën e tyre në Kuds. Populli i SHBA-ve po e kërkon këtë nga ne dhe kjo është gjëja e duhur. Asnjë votim nuk do ta ndryshojë këtë por ky votim do të bëjë një ndryshim në aspektin se si amerikanët do ta shohin OKB-në dhe se si ne do t’i shohim shtetet të cilat nuk na kanë respektuar neve në OKB”, tha ajo.

“Vendimi i Trumpit është i pavlefshëm”

Rezoluta u referohet dhjetë rezolutave të kaluara të Këshillit të Sigurimit (KS) të OKB-së nga viti 1967 e deri në vitin 2016. Në rezolutë theksohet nevoja për ruajtjen e “dimensioneve shpirtërore, fetare dhe kulturore të Kudsit”.

Rezoluta, e cila denoncon vendimin e qeverisë amerikane për Kudsin, parasheh shfuqizimin e të gjitha hapave për ndryshimin e statusit, karakterit dhe demografisë së Kudsit dhe fton shtetet të shmangen nga hapja e misioneve diplomatike në këtë qytet, siç parasheh edhe rezoluta 478 (1980) e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Rezoluta po ashtu kërkon nga të gjitha shtetet anëtare që t’i përmbahen vendimeve të KS-OKB-së lidhur me Kudsin dhe që mos t’i njohin hapat dhe vendimet e marra kundër vendimeve të këtij Këshilli.

Okupimi gjysmëshekullor i Kudsit

Izraeli, i cili më 5 qershor të vitit 1967 okupoi Kudsin Lindor, në vitin 1980 në mënyrë të njëanshme e shpalli pjesën lindore dhe perëndimore të qytetit si “kryeqytet i bashkuar”.

KS-OKB, përmes rezolutës 478 të miratuar në vitin 1980, e shpalli të pavlefshëm aneksimin e Kudsit Lindor dhe shpalljen e Kudsit si kryeqytet nga ana e Izraelit.

Në kuadër të rezolutës së KS-OKB-së, komuniteti ndërkombëtar, përfshirë SHBA-të, pranojnë se Kudsi Lindor gjendet nën okupim.

Të gjitha shtetet që njohin qeverinë izraelite kanë ambasadat e tyre në Tel Aviv. Asnjë shtet nuk e pranon Kudsin ose pjesën lindore dhe perëndimore të tij si kryeqytet.

Bisedimet për paqe mes Izraelit dhe Palestinës u ndërprenë në prill të vitit 2014, pasi Izraeli “nuk pranoi kufijtë e vitit 1967, kthimin e palestinezëve të dëbuar dhe ndalimin e ndërtimit të vendbanimeve të reja kolone hereje”.

Deklarata e Trumpit ndryshoi balancat

Presidenti amerikan Donald Trump më 6 dhjetor shpalli njohjen e Kudsit si “kryeqytet të Izraelit” dhe paralajmëroi zhvendosjen e ambasadës në këtë qytet.

Qeveria e Trumpit shkaktoi reagime nga komuniteti ndërkombëtar, ndërkohë që shpërfilli paralajmërimet të cilat theksonin se rajoni do të zvarritej drejt një kaosi dhe mosmarrëveshja izraelito-arabe do të bëhej edhe më e pazgjidhshme.

SHBA-të mbetën vetëm në KS-OKB

Rezoluta e cila u paraqit në KS-OKB nga Egjipti për zhvlerësimin e vendimit të SHBA-ve për Trumpin më 18 dhjetor, mori mbështetjen e 14 vendeve anëtare, ndërkohë që SHBA-të vënë veto, duke mbetur vetëm në OKB lidhur me çështjen e Kudsit.

“Kërcënime” nga Trump për ndërprerjen e ndihmave

Pas këtyre zhvillimeve, Trump kërcënoi me “ndërprerje të ndihmave materiale” shtetet të cilat do të votonin në favor të rezolutës në AP-OKB.

“Marrin qindra miliona, madja miliarda dollarë, kurse më pas votojnë kundër nesh. Mirë, ne do t’i ndjekim këto. Le të votojnë kundër nesh, ndërsa ne do të kursejmë shumë në këtë mënyrë. Nuk na bëhet vonë”, kishte deklaruar Trump.

Nga ana tjetër, Përfaqësuesja e Përhershme e SHBA-ve në OKB, Nikki Haley, tha se një ditë para u ka dërguar posta elektronike diplomatëve me detyrë në OKB, duke thënë se do të evidentojnë emrat e atyre që votojnë kundër tyre.

Reagime të ashpra nga Erdoğan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, reagoi ashpër ndaj “kërcënimeve” të Trumpit, duke thënë se një gjë e tillë nuk përfaqëson demokracinë.

“Thonë se SHBA-të janë djepi i demokracisë. Djepi i demokracisë kërkon të blejë vullnetin në botë me dollarë. Zotëri Trump, ju nuk mund ta blini me dollarë vullnetin demokratik të Turqisë. Uroj që Amerika të mos marrë rezultatin që pret dhe pres që bota t’i japë një leksion shumë të mirë Amerikës”, kishte deklaruar presidenti turk./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit