Hapet dega e Postës së Kosovës në Mitrovicë të Veriut

Mos i humb

Posta e Kosovës e ka hapur të enjten degën e saj të parë në Mitrovicë të Veriut.

Zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe ai i Administrimit të Pushteit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë marrë pjesë në hapjen e kësaj dege, në orët e hershme të mëngjesit.

Disa aktivistë dhe përfaqësues të partisë politike, Demokracia Serbe, kanë protestuar kundër hapjes së kësaj dege.

Ministrja Rizvanolli ka thënë se Posta e Kosovës synon të ofrojë shërbime postare për të gjithë, në të gjitha anët e Kosovës, dhe se pika e hapur është e nënta që hapet në veri të vendit.

“Është shumë e rëndësishme që kjo zyrë është hapur sot këtu dhe qytetarët e Mitrovicës së Veriut tani kanë mundësinë të vizitojnë këtë degë dhe t’i kryejnë të gjitha shërbimet që ofron kjo degë. Ka shërbime postare dhe të Telekomit”, ka thënë ministri Krasniqi para mediave.

Hapja e kësaj dege vjen pas mbylljes së nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës, pas informacionit të siguruar nga Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP) se ato degë kanë vepruar jashtëligjshëm në territorin e Kosovës.

Mbyllja e këtyre degëve të Postës së Serbisë është dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, dhe është vlerësuar si hap i njëanshëm prej autoriteteve të Kosovës.

Në degët e kësaj Poste, qytetarët kanë marrë ndihmat që ndan shteti i Serbisë për ta – pensionet dhe shtesat për fëmijë – si dhe kanë mundur të kryejnë shërbime tjera postare.

Posta e Kosovës ka vepruar si njësi biznesi në kuadër të Telekomit të Kosovës deri më 2021, kur me vendim të Qeverisë së Kosovës është themeluar si ndërmarrje publike qendrore.
- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit