Hapet Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2019”

Mos i humb

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës kanë hapur edhe këtë vit Panairin e Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2019”, me më shumë se 100 ndërmarrje pjesëmarrëse.

Në këtë panair, si mesazh kryesor nga organizatorët u bë thirrje që të ketë më shumë siguri dhe shëndet në vendin e punës.

Drejtori i OEK-ut, Berat Rukiqi, tha se ashtu siç është proklamuar nga Qeveria e Kosovës, viti 2019 do të jetë viti i ekonomisë.

“Duke parë numrin në rritje të kompanive tona që po marrin pjesë në panair, besoj që është mundësi e mirë që t’i jepet shtytje më e madhe edhe punësimit, edhe eksportit, si një ndër dy qëllimet kryesore që i ka edhe plani ekonomik i vendit. Ajo që është thirrje duke u lidhur me rastet e fundit, për shumicën e bizneseve është, fokus më i madh te siguria dhe shëndeti në punë”, tha Rukiqi.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Qeveria ka filluar me qasje të re duke ofruar mundësi më të mira dhe akses të komunikimit të kompanive veç e veç.

“Është vit i ekonomisë, por ekonominë e bëjnë sipërmarrësit. Sipërmarrësit janë heronjtë tanë, ata hapin vende të punës, ne do t’u qëndrojmë afër”, tha Haradinaj, i cili ndër të tjera përmendi se në fund të muajit maj do të përfundojë edhe autostrada me Maqedoninë e Veriut, e cila do ta lehtësojë edhe më shumë të bërit biznes.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, tha se institucioni që drejton ka prioritet kryesor mbështetjen e ndërmarrjeve të Kosovës, të cilave u bëri thirrje ta rrisin kualitetin e produkteve.

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) ndër prioritetet kryesore ka edhe mbështetjen e ndërmarrjeve në Kosovë, promovimin e investimeve vendore dhe të huaja, promovimin e eksportit ndërkombëtar, promovimin e turizmit, si dhe mbështetjen dhe bashkëfinancimin e zonave ekonomike në vendin tonë. Të gjitha këto aktivitete dhe projekte të Qeverisë dhe MTI-së kanë për qëllim, së pari, mbështetjen e kompanive kosovare dhe unë nga këtu shfrytëzoj rastin t’i ftoj të gjitha kompanitë tona kosovare, përfaqësuesit e tyre, njëkohësisht OEK-un, ta vazhdojmë dhe ta avancojnë këtë bashkëpunim tonin drejtë arritjes së objektivave tona të përbashkëta. Këto janë sfida, por edhe janë mundësi të mëdha dhe mund t’i realizojmë vetëm duke bashkëpunuar”, tha Shala, i cili po ashtu tregoi se Qeveria e Kosovës këtë vit do të ndërmarrë hapa për ta revitalizuar edhe Qendrën e Panaireve në fshatin Shkabaj.

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, tha se shpreson që Kosova do ta krijojë shumë shpejt identitetin e vet ekonomik dhe ai do të jetë Inovacioni dhe Ekonomia Digjitale.

Panairi i cili po mbahet në fshatin Shkabaj të Prishtinës, vitin e kaluar kishte pasur rreth 170 ndërmarrje, rreth 70 prej tyre serbe, ndërsa këtë vit, nuk merr pjesë asnjë kompani serbe. Qeveria e Kosovës i vendosi taksë 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe atyre nga Bosnjë dhe Hercegovina më 21 nëntor të vitit 2018.

Ndër shtetet që po marrin pjesë në këtë panair është edhe Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Turqia, Sllovenia, Kroacia, Italia dhe Franca, ndërsa këtë vit pjesëmarrës për herë të parë janë edhe ndërmarrje me produkte nga Portugalia.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit