Hapet xhamia e Namazgjasë, Rama: Tempull i shumëpritur, trashëgimi e një populli të tërë

Mos i humb

Xhamia e Namazgjasë në Tiranë u përurua sot, në një ceremoni të veçantë ku ishte i pranishëm edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministri Edi Rama.

Në fjalën e mbajtur në këtë ceremoni, kryeministri Edi Rama vlerësoi se çelja e kësaj xhamie ishte e shumëpritur nga komuniteti mysliman.

“Ja ku erdhi dita e çeljes së këtij tempulli të adhurimit të krijuesit të botëve, kaq i shumëpritur nga komuniteti mysliman në rrjedhën e viteve për aq shumë arsye. Kjo faltore që frymo nga një besim universal, Xhamia e Madhe e Namazgjasë, është tanimë trashëgimia e një popullit të tërë, e cila mishëron atë që Profeti, paqja e Zotit qoftë mbi të,
ka thënë për veten: ‘Unë jam lutja e Ibrahimit, sihariqi i saj dhe ëndrra e nënës time’”, tha Rama në fjalën e tij.

Kryeministri solli në vëmendje pikënisjen e ndërtimit të kësaj xhamie në nëntor të vitit 2014 dhe punën që është bërë për pastrimin e truallit të saj.

“Ky sihariq i veçantë i përurimit të saj, fryt i lutjeve e përpjekjeve të bashkëkombësave tanë të besimit islam dhe i dashamirësisë së vëllezërve të tyre bashkëbesimtarë nga Turqia të cilët i falënderoj me mirënjohje, më çon pas në 14 nëntor të vitit 2014, 10 vite më parë kur fillesën e kësaj pune të bekuar në shërbim të komunitetit mysliman shqiptar e pata quajtur si çlirimi i Namazgjasë. Nuk e harroj dot se sa vullnet i mirë u desh për ta pastruar truallin e Namazgjasë të kthyer në një shesh pazari të imponuar në hapësirën e lutjeve, shpresës dhe nevojës së besimtarëve myslimanë për të pasur atë dhe ata tempullin e tyre qendror në kryeqytetin e Shqipërisë njësoj si bashkëkombasit dhe vëllezërit e tyre të besimit katolik, ortodoks apo bektashinj”, tha Rama.

Rama theksoi se për të ka qenë qysh në krye të herës, çështje nderi dhe peshë e detyrës që Xhamia e Madhe të hynte e pastër në jetën e vendit tonë të besimeve të ndryshme, si një objekt i gjatëmunguar kulti në këtë vend, ku tempujt mishërojnë dhe dëshmojnë lirinë dhe harmoninë fetare.

“Ndërsa njerëzit bashkëjetojnë, siç e pat thënë për koincidencë po atë vit Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Shqipëri, jo në harmoni por në vëllazëri fetare”, kujtoi Rama.

Kryeministri theksoi se sot pas plot 10 vitesh nga ajo pikënisje, Xhamia e Madhe hyn në sofrën e kësaj vëllazërie kaq mirëfilli shqiptare si ilustrim i shumëçkaje të lidhur me besimin.

“Dhe ndër to edhe të një ajeti prej 6 sureve të para të Kuranit, që me mjeshtërinë prej dijetari dhe me dashurinë prej atdhetari të paepur na e dhuroi në gjuhën tonë një Hafiz i madh dhe një ndër artizanët e pavarësisë sonë kombëtare, tiranasi Haxhi Hafiz Ibrahim Dalliu”, tha Rama.

Dhjetëra besimtarë ishin mbledhur para xhamisë, në pritje të kësaj ngjarjeje të shënuar për komunitetin mysliman shqiptar.

Xhamia e Namazgjasë konsiderohet më e madhja në Ballkan dhe është realizuar si një dhuratë e popullit turk për besimtarët myslimanë në Shqipëri.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit