Haradinaj ftohet për raportim për demarkacionin më 26 dhjetor

Mos i humb

Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike i Kuvendit të Kosovës ka marrë vendimin që më 26 dhjetor të mbahet mbledhja për shqyrtimin e projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin shtetëror mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Kryetarja e këtij komisioni, deputete nga radhët e partisë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, ftoi që në këtë mbledhje të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, si dhe Komisioni Shtetëror për Shënimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi, në mënyrë që të sqarohen çështjet për të cilat ka paqartësi, sidomos për pretendimet për vepra penale si falsifikim të hartave, para se kjo marrëveshje të procedohet për votim në Kuvend.

“Është me rëndësi të sqarohet në qoftë se vërtetë ka pasur falsifikim të hartave. A jemi ne qind për qind të sigurtë se ka pasur. Në fakt për secilin që është jurist e di që kur ka pretendime për falsifikim këto çështje duhet të sqarohen në prokurori, nuk u takon politikanëve që të marrin harta të cilat ne edhe nuk mund t’i determinojmë saktësisht dhe ta marrim qoftë qëndrimin e njërës palë e qoftë të palës tjetër lidhur me pretendimin për kryerjen e kësaj vepre penale, sepse kjo është vepër penale. Ne sot para vetes kemi një marrëveshje, për të cilin raporti i fundit i komisionit shtetëror thotë që përmban 3 vepra penale, jo vetëm një, është falsifikimi i hartave, fshehja e dokumenteve zyrtare, si dhe cenimi i tërësisë territoriale”, tha Osmani.

Ajo u shpreh se sipas rregullores së punës 5 janari është data e fundit e shqyrtimit të kësaj marrëveshjeje nga komisioni.

Kujtojmë se Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas ardhjes në krye të ekzekutivit në fillim të shtatorit, shkarkoi kryetarin e Komisionit Shtetëror për Shënimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi, i cili ishte Murat Meha dhe emëroi Shpejtim Bulliqin në krye të këtij komisioni. Ky komision përgatiti një raport të ri, i cili së bashku me marrëveshjen e Demarkacionit të nënshkruar me Malin e Zi, më 4 dhjetor u miratua nga Qeveria e Kosovës.

Mirëpo, sipas raportit të komisionit të ri, komisioni i vjetër nuk kishte kushtuar vëmendje hartave të besueshme për përcaktimin e vijës kufitare administrative midis Kosovës dhe Malit të Zi, edhe pse ato ekzistonin. Sipas anëtarit të komisionit të ri, Zejnullah Gruda, marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi nga komisioni i mëparshëm “ishte një kërcënim për integritetin territorial të Kosovës”.

Ndryshe, Marrëveshja për demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, është nënshkruar më 26 gusht të vitit 2015 në Vjenë ndërmjet dy shteteve dhe është miratuar nga pala malazeze, mirëpo ende nuk është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës./Rtv

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit