Haradinaj: Kosova, e sigurtë. Lista Serbe të reflektojë

Mos i humb

Pas takimit të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka dalë në një konferencë për shtyp, ku ka theksuar se gjendja e sigurisë në vend është e qetë dhe e qëndrueshme, ndërsa institucionet janë në nivelin e përgjegjësisë në të gjithë territorin e shtetit.

Haradinaj foli mbi arrestimin e një dite më parë të zyrtarit serb, Marko Gjuriç, të cilin e konsideroi si një veprim të pakëndshëm, por i detyrueshëm si pasojë e zbatimit të ligjit. Ai tha se zbatimi i ligjit nuk kishte alternativë tjetër, duke qenë se hyrja e tij në territorin e Kosovës ishte e paligjshme, ndaj institucionet e rendit kanë zbatuar procedurat standarde.

“E konsiderojmë si situatë standarde të zbatimit të ligjit dhe të të aplikueshme çdo herë, në raste të veprimit të ngjashëm”, tha kryeministri.

Duke theksuar se zgjidhja e vetme është bashkëpunimi dhe dialogu, ai theksoi se mbeten të hapur për të biseduar me Serbinë për avancimin e temave të ndryshme të dialogut. Ndërsa foli edhe për largimin e paralajmëruar të Listës Serbe nga qeveria, grup të cilit i ka kërkuar të reflektojë.

Sa i përket krijimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Haradinaj tha se paralajmërimi i Listës Serbe është i shpejtë, për sa kohë që nuk ka komunikim të mirëfilltë.

“Nuk është mirë të testojmë pafund durimin e askujt. Duhet të gjejmë një rrugë, të ulemi në tavolinë, pasi kjo nuk është në dobi të askujt”, tha Haradinaj.

Top Channel

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit