Haradinaj kujton Masakrën e Studimes, familjarëve u premton trajtim institucional

Mos i humb

Në Studime të Vushtrrisë sot janë përkujtuar 116 civilët e vrarë në masakrën që ka ndodhur më 2 maj.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj duke folur në akademinë përkujtimore tha se një pakt i paqes me Serbinë është krejt çka Kosova mund të jap sot, pasi që ka dhënë më të çmueshmen, më të vështirën që mund të jepet për paqen, jetërat e njerëzve të pafajshëm. Ndërsa 116 martirët e Studimes të Vushtrrisë janë dëshmi e kësaj.

Duke komentuar marrëveshjen e shumëpërfolur Kosovë-Serbi, Haradinaj theksoi se Kosova tashmë ka deklaruar statutin e vet, dhe krejt cka mundet të bëjë sot, është të jetë pjesë e një marrëveshjeje paqësore, e cila do t’i hapte rrugë integrimit të Kosovës në NATO, OKB dhe BE.

Deri sa shtoi se institucionet qendrore do ta ruajnë gjithmonë nderimin për të rënët e lirisë, dhe se familjarët e martirëve të Studimes do të kenë përjetësisht njerëzit e tyre në themelet e shtetit të Kosovës.

“E vërteta është se Kosova ka dhënë shumë dhe ja ku është dëshmia. Për këtë Kosovë që kemi sot janë këto jetëra të njerëzve, janë këto dhimbje që i kanë familjet, fëmijët që janë rritur jetim, ato nëna e motra që me dhimbje të madhe i kanë kaluar këto vjet… Nëse ata që e ndajnë drejtësinë në botë, në 99-ën u detyruan të bombardojnë regjimin e Millosheviqit, për me shpëtu jetëra të njerëzve, si këta, atëherë shtrohet pyetja çka ka ndodhur sot, si munden me i thënë Kosovës se çka jep tash për paqe. Në fakt, Kosova ka dhënë më të çmueshmen, më të vështirën që mund të jepet, ka dhënë jetëra njerëzish. Ka në vete shumë vuajtje dhe plagë. Një pakt për paqen, i faljes, do të ishte më e madhja që kish mundur për të rënë dakord Kosova. Por s’ka çka jep më Kosova sepse është dhënë ajo që ka mundur të jepet për tu fituar një e drejtë”, tha kryeministri.

Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se çdo përvjetor përkujtohen me nderim e përulje 116 civilë të cilët me gjakun e tyre e ujitën lirinë dhe pavarësinë e popullit të Kosovës.

Ai tha se kjo masakër është dëshmi e gjenocidit serb në Kosovë, masakër për të cilën drejtësia duhet vënë në vend.

“Masakra në Studime është ndër krimet më të mëdha që ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës së popullit të Kosovës për liri e pavarësi. Në këtë krim u vranë brenda një nate të vetme mbi 100 civil shqiptar, prandaj ky akt kriminal i forcave paramilitare serbe, përbën krim kundër njerëzimit dhe gjenocid, sepse krimi në Studime ishte i organizuar prej nivelit më të lartë në Beograd dhe i ekzekutuar nga përgjegjësit lokal në Vushtrri, me krim të qartë që të shfarosë shqiptarët”, u shpreh ai.

Për më tepër, i pari i Vushtrrisë i bëri apel drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare, që të zbardhë masakrën në Studime, në mënyrë që urdhërdhënësit dhe ekzekutuesit të saj të marrin dëbimin e merituar.

Ai ka siguruar familjarët e martirëve, se si komunë do t’iu qëndrojnë gjithmonë pranë duke i mbështetur dhe përkrahur ata.

Edhe Latif Gërxhaliu, i cili foli në emër të familjarëve të martirëve të Studimes, paraqiti kërkesën e tij që të zbardhet e vërteta e masakrës së Studimes, në mënyrë që kriminelët të vuajnë dënimin.

Ai u bëri apel institucioneve që ta tregojnë veten për të vënë drejtësi për masakrën e Studimes.

“Të rënët në këtë masakër na e kanë zdritë fytyrën dhe na kanë çliru vendin. Kam edhe një apel për institucionet, dihet se kush ka amrrë pjesë dihet se kush e ka organizuar. Shtrohet pyetja: me familjarët, a kenë institucionet tona, a kemi drejtësi tonën, a kemi avokaturë tonën”, bëri apel ai.

Më 2 maj të vitit 1999, brenda dy orëve ishin pushkatuar nga paramilitarë serb 116 persona civil që ishin në kolonë për t’u shpërngulur në drejtim të Shqipërisë.

Për çdo vit në Studime të Vushtrrisë më 2 maj mblidhen familjarë dhe përkujtojnë të dashurit e tyre që atë mbrëmje të kobshme gjetën vdekjen, vetëm pse ishin shqiptar.

/Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit