Haradinaj ofron mbështetje për personat me aftësi të kufizuara

Mos i humb

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim anëtarët e Shoqatës së Paraplegjikëve dhe Paralizës së Fëmijëve të Kosovës – Handikos në Qeverinë e Kosovës.

Dhjetëra persona me aftësi të kufizuara, bashkë me përfaqësuesit e tyre nga “Handikos”, kanë marrë pjesë në takim me kryeministrin në detyrë ku kanë diskutuar për nevojat dhe problemet e kësaj kategorie. 

Haradinaj tha se ka një listë të punëve që duhet t’i kryejnë së bashku me “Handikos”-in, të cilat janë akte nënligjore që përfshijnë pajisje ndihmëse dhe rehabilitim për statusin e personave paraplegjikë.

“Zbatimi i ligjit për punësim që është kryesorja. I planit të veprimit, i listës gjithëpërfshirëse dhe sigurimi i mbështetjes për organizatat. Njëkohësisht edhe themelimi i njësisë spinale në QKUK. Funksionalizimi i këshillit nacional për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara”, tha Haradinaj. 

Drejtori i shoqatës “Handikos”, Afrim Maliqi, tha se të drejtat e përmendura nga Haradinaj janë obligim i shtetit dhe mund të arrihen me mobilizim të shoqërisë.

Maliqi tregoi se sa i përket punëve për këtë kategori, ata kanë një strategji dhjetëvjeçare.

“Shumë mirë i përmendët çështjet të cilat Qeveria duhet t’i shtyjë përpara. Me këtë rast mund të them lirisht se studimet tregojnë se në shoqëritë e zhvilluara ofrimi i përkujdesjes shoqërore konsiderohet si një aspekt i rëndësishëm i rolit të shtetit dhe përfitimit nga përkujdesja të cilat janë pjesë e të drejtave të individit. Qasje kjo që anasjelltas ofron suksesin ose dështimin e përkujdesjes ndaj personave me aftësi të kufizuara”, tha Maliqi. 

Në planin afatshkurtër “Handikos” ka pasur muajt e fundit disa punëtori të cilat kanë pasur qëllim gjashtë drejtime kryesore zhvillimore të kësaj kategorie: Pjesëmarrja e personave me aftësi të kufizuara, punësimi i tyre, edukimi dhe trajnimi, mirëqenia sociale, shëndeti dhe zhvillimi i organizatës (Handikos). 

Në Kosovë në bazë të regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, janë regjistruar 74 mijë persona me aftësi të kufizuara.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit