Haradinaj pritet në takim nga kryeministrja britanike

Mos i humb

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj në kuadër të vizitës së tij në Londër është pritur në një takim zyrtar nga kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May.

Në një njoftim nga zyra e Kryeministrit thuhet se gjatë këtij takimi Haradinaj ka falënderuar kryeministren May për mbështetjen historike dhënë Kosovës në periudhat më të rëndësishme të rrugës së shtetndërtimit.

“Që nga koha e luftës në vitin 1999 kur Mbretëria e Bashkuar ka qenë e vendosur në përkrahje të të drejtës së Kosovës, është po ajo përkrahje, po ajo gatishmëri. Kam kërkuar vëmendjen e Londrës zyrtare, të kryeministres për çështjet e mbetura të hapura për Kosovën. E kemi përkrahjen e parezervë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj më tej ka bërë të ditur se në takimin me kryeministren May, është biseduar edhe për marrëdhëniet e Kosovës me Mbretërinë e Bashkuar, të drejtën e Kosovës në planin ndërkombëtar por edhe për çështjen e bisedimeve me Serbinë.

Nga ana e saj kryeministrja May ka thënë se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë mbështetjen për vendet e Ballkanit në proceset integruese dhe në krijimin e një stabiliteti ekonomik dhe të sigurisë.

Në pritjen e kryeministres May për kryeministrin Haradinaj, njoftohet se të pranishëm ishin edhe Sekretari i Jashtëm britanik Boris Johnson, Alan Duncan, ministër për Evropë dhe Amerikë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Matt Hancock, Sekretar i Shtetit për Çështje Digjitale, Kulturë Medie dhe Sport dhe Amber Rudd, Sekretare e Shtetit për Punë të Brendshme.

“Takimi u realizua në kuadër të pritjes që Kryeministrja May u bëri gjashtë kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, të cilët në Londër po qëndrojnë në kuadër të Samitit të WB6 organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ku kryeministri Haradinaj ka prezantuar mbi 30 projekte potenciale për investim që kapin vlerën e rreth 600 milionë eurove”, njofton zyra e Kryeministrit.

Haradinaj viziton edhe Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar

Haradinaj gjatë vizitës së tij në Londër, ka vizituar edhe Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, ku u mirëprit në seancën e Dhomës së përfaqësuese dhe nga kryetari i Parlamentit John Bercow, i shoqëruar nga Martin Vickers, deputet dhe udhëheqës i grupit të miqësisë për Kosovën në Parlamentin britanik.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit