Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj me disa ministra nga kabineti qeveritar ka vizituar Komunën e Prishtinës ku ka zhvilluar një takim pune me kryetarin e Komunës, Shpend Ahmeti.
Në një konferencë për media pas takimit me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kryeministri Haradinaj në pyetjen lidhur me shfuqizimin e Gjykatës Speciale për Kosovën, për të cilën kryeparlamentari Kadri Veseli tha se kjo gjykatë duhet të ndodhë dhe inicuesit e saj nuk kanë bërë një punë të mirë për shfuqizimin e saj, u përgjigj se qëndrimi i partisë së tij Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka qenë kundër që në fillim kur është votuar në Kuvend dhe shtoi se edhe nesër do të votojnë kundër.
Haradinaj tha se do ta respektojnë iniciativën e deputetëve në cfarëdo situate lidhur me këtë gjykatë.
Mes tjerash Haradinaj tha se me kryetarin Ahmeti kanë zhvilluar një takim pune duke shtuar se ky takim i ngjason takimeve në mes të dy qeverive. Ai theksoi se kanë biseduar për tema të ndryshme të cilat janë në interes të qytetarëve të Prishtinës si për ligjin për Prishtinën dhe implikimet që ka ky ligj, për rendin dhe gjendjen e policisë në kryeqytet, gjendjen në spitale, për projektin e ndërtimit të një pallati të operës, për zhvillimet aktuale në arsim që në fokus ka qenë ‘Testi Pisa’ dhe furnizimi me energji.
Ai po ashtu tha se nuk do të ketë pengesa nga ana e qeverisë në punët e komunës përderisa komuna mund ta propozojë metodologjinë duke shtuar se në takim kanë qenë prezent edhe drejtorët dhe ministrat për lehtësimin e punës së kësaj komune.
Haradinaj: Nuk kam marrë përgjigje për vizë nga ambasada e SHBA-së
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj konfirmoi se ka aplikuar për vizë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) por tha se ende nuk ka marrë përgjigje.
Në konferencën për media pas takimit me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kryeministri Haradinaj u përgjigj në pyetjet e gazetarëve lidhur me temën e aplikimit për vizë të SHBA-së. Ai konfirmoi se zyra e tij ka aplikuar për vizë dhe se ende nuk kanë marrë përgjigje lidhur me këtë.
Haradinaj tha se janë disa ngjarje rresht për të cilat do të dëshironte të zhvillonte një vizitë në SHBA duke theksuar se do të shkojë atëherë kur ambasada amerikane do t’ia mundësojë vizën.
Ai tha se ka marrë ftesë nga Komandanti i Iowa-s për të marrë pjesë në një organizim më 11 janar dhe në Lutjet e Mëngjesit për të cilat do të dëshironte të zhvillonte një vizitë në SHBA./Rtv islam/


