Haradinaj: Serbia një mini Rusi në Ballkan, nëse nuk na njeh taksa do të mbetet përgjithmonë

Mos i humb

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj në konferencën e fundvitit theksoi se nëse Serbia nuk ndryshon, e që paraqet një mini-Rusi në Ballkan, atëherë taksa do të mbetet përgjithmonë.

Haradinaj tha se duke ia mundësuar Serbisë Kosovën si një treg të brendshëm, i janë dhënë qindra miliona për të blerë armatim në Moskë.

“Nëse Serbia nuk ndryshon, e që paraqet një mini-Rusi në Ballkan atëherë taksa ka me mbet përgjithmonë. Nëse Serbia dëshiron me punu me logjikën evropiane dhe amerikane në Ballkan, dëshiron me u marr vesh me Kosovën për njohje, e kishim hjek sot…”, tha kryeministri.

Ai tha se Kosova ndodhet para një agresioni të Serbisë dhe taksa përveç që është një masë ekonomike është edhe një mbrojtje e sigurisë kombëtare të Kosovës. “Ne duke ia mundësuar Serbisë Kosovën si treg të brendshme ia kemi dhënë disa qindra milionë me ble armatim në Moskë…”, tha ai.

Sipas tij, kjo është e vërteta e taksës dhe nuk është vetëm në dimensionin e politik-bërjes ditore. Sipas tij, Qeveria vitin e ardhshëm vëmendje të posaçme do t’i kushtojë ekonomisë.

Haradinaj ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, duke thënë se tani kanë arritur në një kornizim të dialogut.

Ai tha se Qeveria ia ka dorëzuar materialet që ka Ekipit negociator, ndërsa tha se beson që edhe presidenti do të veprojë njëjtë.

Haradinaj tha se deklarata e presidentit se më 8 janar do të jetë në Brezovicë, ndërsa delegacioni shtetëror në Bruksel, tregon respektin e tij për rolin e delegacionit.

Kryeministri i vendit ka folur edhe për çështjen e vizave. “Një shqetësim e kam të neglizhenca e vendeve veç e veç të Bashkimit Evropian për me fut në agjendë çështjen e liberalizimit të vizave. Është një temë që po e përkeqëson gjendjen… Si me u integru njerëzit e Kosovës, kur janë të izoluar…”, tha ai.

Sipas tij, edhe kur Gjykata Speciale po dërgon ftesa, vizat po u jepen të ftuarve, ndërsa avokatët dhe pjesëtarët e familjes duhet të aplikojnë për viza.

“Jemi në nevojë që BE të merr vendim për liberalizimin e vizave sa më shpejtë… Do të ishte e arsyeshme që të mbahet një takim i Këshillit të Ministrave në shkurt që t’na jepnin liberalizimin, do ta lehtësonte gjendjen në Kosovë”, tha ai.

Kreu i ekzekutivit të vendit ka folur edhe për çështje tjera, duke përfshirë edhe rastet e fundit të grabitjeve, duke thënë se organet e rendit e kanë në fokus këtë çështje.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit