Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Igli Hasani, ka bërë një deklaratë të rëndësishme lidhur me hapjen e Urës së Ibrit, duke theksuar rëndësinë e konsultimeve të ngushta të Kosovës me Shqipërinë dhe partnerët ndërkombëtarë para marrjes së vendimeve të mëdha.
Hasani theksoi se politika e jashtme e Shqipërisë ka si prioritet Kosovën, ndërsa shtoi se Prishtina duhet të diskutojë çdo hap i rëndësishëm, si hapja e Urës së Ibrit, me vendet dhe organizatat që kanë kontribuar në krijimin e Kosovës si një shtet të lirë dhe të pavarur.
“Kemi qenë të qartë në atë që kemi thënë. Për ne prioriteti i politikës së jashtme është Kosova dhe gjithmonë u kemi thënë motrave dhe vëllezërve në Prishtinë që hapat që merren duhen diskutuar me ata që i duan shumë dhe i kanë përzemër,” deklaroi Hasani.
“Para se të ndërmerren hapat, duhet të diskutohet dhe të dilet në konkluzione me vendet dhe organizatat që e kanë bërë Kosovën të lirë dhe të pavarur.
Këtu hyn dhe Shqipëria.”