Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), është e përkushtuar në krijimin e politikave që lehtësojnë të bërit biznes, duke hequr barrierat tarifore dhe jo tarifore.
Kështu është shprehur ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, në hapjen e Panairit Ndërkombëtar “Expokos” për energjetikë, ndërtim, patundshmëri dhe teknikë në Prishtinë i cili do të zgjasë tri ditë.
“Jemi duke punuar shumë për mbështetjen e prodhuesve dhe kemi prioritet zhvillimin e vendit. Heqja e akcizës për lëndën e parë, është një përkrahje e madhe për bizneset. Në raportin e Bankës Botërore, vlerësohet se Kosova ka bërë një progres të madh në fushën e të bërit biznes. Shpresojmë se edhe në këtë vit do të kemi progres”, është shprehur ministri Hasani.
Ministri ka shtuar më pas se organizimi i panaireve sikur që është ky sot krijon mundësi të mira bashkëpunimi ndër biznese.
“Është mirë të organizohen panaire me karakter të tillë, ngase këtu mund të krijohen ura të bashkëpunimit. Kosova ka qenë si shoqëri konkurruese, por të mundohemi që te jemi edhe Kosovë prodhuese. Ne e kemi prioritet zhvillimin e vendit”, tha Hasani.
Nga ana tjetër ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka thënë se pa ekonomi, shteti nuk mund të ekzistojë, dhe sipas tij, Kosova ka krijuar ligje të mira dhe po krijon ambient të favorshëm për investime.
Bekim Kastrati, drejtor i Odës Ekonomike Britanike, tha se Kosova ka potencial të madh dhe për këtë ka ftuar kompani britanike që të investojnë dhe hulumtojnë në Kosovë.
Bekim Xhafa, nga organizata e panaireve CEO, tha se në edicionin e 17 të panairit, këtë vit për herë të parë ka përkrahjen britanike, madje, ai këtë panair e quajtur “Porta e Ballkanit” në të cilin po marrin pjesë rreth 50 kompani vendore dhe ndërkombëtare./Kosova Post/


