Haxhiu: Demarkacioni nuk do të kalojë

Mos i humb

Pas ndërprerjes së seancës në Kuvendin e Kosovës si pasojë e hedhjes së gazit lotsjellës, deputetja Albulena Haxhiu nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje tha se demarkacioni nuk do të kalojë.

Haxhiu u tha gazetarëve në hollin e Kuvendit se nuk ka rëndësi se cilët deputetë kanë hedhur gaz lotsjellës, por është e rëndësishme që deputetët të dalin në mbrojtje të territorit të Kosovës, i cili sipas saj, po humbet me marrëveshjen për demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi të vitit 2015.

Ajo tha se është e qartë se koalicioni qeverisës në shumë mënyra arriti të sigurojë votat për ratifikimin e demarkacionit, por se Vetëvendosje, sikurse para tri vitesh do të veprojë njëjtë dhe nuk do të lejojë të kalojë demarkacioni.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se demarkacioni duhet të miratohet sot.

“Grupi ynë parlamentar është i vendosur të përfundojë çështjen e demarkacionit me Malin e Zi më 21 mars. Ne nuk do të dorëzohemi përpara kërcënimeve të tilla, në mënyra si shkelja e rendit në seancën e Kuvendit”, tha Hoti.

Pas ndërprerjes së sancës, në kabinetin e kreut të Kuvendit të Kosovës shkuan shefja e zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Nataliya Apostolova dhe ambasadori amerikan Greg Delawie.

Delawie më parë shkroi në rrjetin social Twitter se dhuna, si një mjet politik nuk ka vend në Kosovë. Ai u kërkoi deputetëve të bashkohen dhe të përfundojnë votimin sot.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës në të cilën duhet të votohet marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, u ndërpre nga gazi lotsjellës të cilin e hodhën deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Sot Kuvendi i Kosovës duhet të votojë për projekt-ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror midis Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, pas debatit të djeshëm që zgjati pothuajse nëntë orë dhe përfundoi në orën një pas mesnate./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit