Haxhiu: Koha për shkurtimin e përfitimeve të zyrtarëve të lartë shtetëror

Mos i humb

Shumica e privilegjeve (në pagë, zyrë, staf, veturë, etj) janë pothuajse të njëjta në të gjitha vendet e rajonit, ndonëse dispozitat e disa vendeve përmbajnë variacione zgjidhjesh praktike.

Ngjashmëri vërehen edhe në garantimin e pensionit, zyrës e stafit për sigurimin fizik për periudhë të caktuar kohore.

Kështu u tha gjatë dëgjimit publik, “Përfitimet për ish-zyrtarët e lartë”, të Komisionit për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete në bashkëpunim me KDI-në, ku u diskutua për shkurtimet e mundshme të përfitimeve të benificioneve për disa kategori të pozitave të larta shtetërore.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu theksoi se ka ardhur koha për shkurtime të përfitimeve.

“Ka ardh koha që duhet me i shkurtu disa përfitime të zyrtarëve të lartë shtetëror. Edhe ne kemi shumë ligje të cilat e rregullojnë këtë fushë. Për mua më duket e pakuptueshme se si deputeti merr edhe pagë edhe shtesa për komisionet dhe seancat. Sa i përket presidentit familja e tij kanë të drejtë për sigurime shëndetësore për të gjithë familjen për bursa për fëmijët. Mendoj që kemi shumë përfitime për ish funksionarët e lartë dhe besoj që këto duhet të adresohen. Këto të adresohen e të ndërpriten dhe të përshtatet për rrethanat tona”, tha Haxhiu.

Ndërsa anëtari i këtij komisioni, Hajdar Beqa, tha se do të ishte mirë që deputetët të kenë mundësinë pas përfundimit të punës si deputetë, të kenë mundësinë të kthehen në punën e mëparshme.

“Për të gjitha pozitat që u cekën, konsideroj se janë pozita të rëndësishme. Ne e kuptojmë buxhetin e konsoliduar të Qeverisë të Kosovës dhe është e pamundur të mbulohen përfitimet pas përfundimit të mandatit. Kjo kishte mundur të rregullohet me Ligjin mbi pagat”, tha ai.

E Visar Reshiti nga Demokracia Plus ka folur për përfitimet e zyrtarëve të lartë në vendet e rajonit, pas përfundimit të mandatit.

Ai bëri të ditur se kanë trajtuar 11 pozita, duke përfshirë edhe në Kosovë.

“Shohim se pozita e presidentit në shtete ka përfitime edhe pas përfundimit të mandatit, ish-kryeministri ka përfitime në të gjitha vendet. Rasti i Kroacisë më ka lënë shumë përshtypje pasi që iu jepet hapësirë atyre që e përfundojnë mandatin, të kthehen në punën e mëparshme. Në Shqipëri është një rast tjetër, ku secili prej tyre është i rregulluar me pension”, tha ai.

Ndryshe, vendet e analizuara janë: Kosova, Shqipëria, Bosnja, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia.

Ndërsa pozitat që janë krahasuar janë: ajo e presidentit, kryetarit të Kuvendit, kryeministrit, kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, prokurorit të Shtetit, kryetarit të Gjykatës Supreme, drejtorit të Agjencisë së Inteligjencës, ministrave, zëvendësministrave, pozita e deputetëve dhe këshilltarëve. /kp/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit