Bashkimi Europian do ta thërrasë për konsultime ambasadorin e vet në Rusi pas aferës me helmimin e ish-agjentit Sergej Skripal në Britaninë e Madhe.
“Është arritur marrëveshje që ambasadori i BE-së në Moskë të thirret për konsultime”, ka deklaruar një zyrtar i paemëruar evropian pas ditës së parë të samitit të BE-së. Siç transmeton Gazeta Express, lajmin më vonë e ka konfirmuar edhe kryeministri holandez Mark Rutte.
Liderët europianë e akuzuan Rusinë se “me gjasa të mëdha” qëndron prapa helmimit të Skripalit dhe vajzës së tij Julia, që ndodhi më 4 mars në qytetin Solzberi të Anglisë.
Pas Britanisë, e cila tashmë e ka bërë këtë, edhe disa vende të BE-së planifikojnë t’i përzënë diplomatët rusë ose t’i tërheqin ambasadorët e vet nga Moska.
Zëdhënësi i Kremlinit D,itrij Peskov ka thënë sot se Moska “shpreh keqardhje” për vendimin e BE-së. “Gjithsesi na vjen keq… që vendime dhe vlerësime të tilla sillen”, ka thënë Peskov, duke përsëritur se “Rusia absolutisht dhe pa mëndyshje” nuk ka lidhje me rastin Skripal./Kosova Post/


