Hohmann: BE, program për rritjen e kapaciteteve të administratës publike

Mos i humb

Ambasadorja e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Christiane Hohmann u shpreh sot se reforma në administratën publike është një prej piketave në procesin e negociatave me Bashkimin Europian.

Hohmann mori pjesë sot në konferencën e organizuar nga Departamenti i Administratës Publike në bashkëpunim me ministren e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi, për prezantimin e programit për rritjen e kapaciteteve të administratës publike.

Ambasadorja informoi se 25 nëpunës të rinj civilë do të marrin pjesë në këtë program dhe me anën e trajnimeve, shkëmbimeve e stazheve do të kuptojnë se si është administrata publike në shtetet anëtare, si funksionon dhe si është e strukturuar.

“Projekti është shumë i rëndësishëm pasi është pjesë e programeve për fuqizimin e kapaciteteve dhe ne kemi identifikuar disa fusha në të cilat Shqipëria ka nevojë për mbështetje për arritjen e standardeve të BE-së. Prandaj fuqizimi i kapaciteteve është shumë i rëndësishëm. Prandaj jam e kënaqur në ne jemi këtu për të lançuar këtë projekt”, tha ajo.

Hohmann theksoi se projekti synon që administrata të arrijë standardet e BE-së.

“Kjo duke mësuar si është organizuar ky proces në vendet e BE-së. Pra, si mund të vazhdosh një karrierë në administratën publike të BE-së. Kjo sepse nëse Shqipëria do të jetë në standardet e duhura për BE-në, duhet të ketë një shtyllë të fortë dhe një shtyllë kurrizore që funksionon mirë dhe kjo është administrata publike”, shtoi ajo.

Ambasadorja vlerësoi se nëpunësit civilë janë tejet të rëndësishëm për të forcuar kapacitetet dhe për të arritur gjithë këto synime.

“Ne kemi disa programe për të mbështetur administratën publike, megjithatë ne duhet të vijojmë për të siguruar pavarësinë, integritetin por edhe procesin e duhur të rekrutimin në sektorin publik, i cili të jetë i bazuar vetëm te aftësitë tuaja. Një shërbim publik i cili të jetë transparent dhe me integritet”, tha ajo.

Hohmann vuri në dukje se Shqipëria është në hapat e parë të negociatave dhe administrata publike dhe reforma e saj është pjesë e grupkapitujve të parë, të cilët janë kapitujt më të rëndësishëm pasi kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, me ekonominë, me sundimin demokratik të një shteti.

“Udhërrëfyesi për reformën në administratën publike është parakusht, është piketë hapëse e negociatave. Prandaj varen kaq shumë gjëra nga administrata publike. Ju inkurajoj të merrni pjesë në këtë program për të ndërtuar dhe fuqizuar një administratë publike në të gjitha nivelet e saj. Në fokus është rekrutimi, pavarësia dhe profesionalizmi. Ne besojmë se merita duhet të jetë kriteri i vetëm i marrjes së statutit të nëpunësit publik. 70% e legjislacionit të BE-së do të vihet në zbatim nga administrata vendore jo nga ajo qendrore dhe prandaj ne duam të arrijmë në të gjitha nivelet e administratës edhe në atë vendore”, shtoi ambasadorja.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit