Huber: Inteligjenca Artificiale, mjet për të fuqizuar demokracinë

Mos i humb

Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber deklaroi sot se, Zvicra qëndron dhe mbetet e palëkundur nga zotimi i saj për të mbështetur zhvillimet parlamentare në Shqipëri.

Në fjalën e saj në konferencën ndërkombëtare “Forcimi i rolit të parlamentit në vendimmarrjen e bazuar në të dhëna”, organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë në kryesinë e Kuvendit, Huber tha se, “transparenca, llogaridhënia dhe demokratizimi, nuk janë vetëm gurkyç të procesit parlamentar, por edhe për krejt atë që quhet vitaliteti i vetë demokracisë”.

“Në këtë botë që ndryshon rrëmbimthi, këto duhen përqasur veçanërisht kur lundrojmë në sfida dhe mundësi të papara, siç është dhe inteligjenca artificiale në proceset ligjvënëse”, tha ajo.

Huber u shpreh se, “studimi, kërkimi shkencor është ura lidhëse mes faktit dhe veprimit. Fuqizon ligjvënësit për të marrë vendime të informuara. Për të hartuar politika të shëndosha dhe për të monitoruar zbatimin e tyre në mënyrë të efektshme”.

“Kjo konferencë e sotme nënvizon rolin kritik të punës kërkimore në forcimin dhe rritjen dhe transparencës parlamentare në shtyrjen përpara të reformave dhe garantimin e atyre politikave që janë të linjëzuara me parimet demokratike”, tha ambasadorja zvicerane.

Ajo nxiti pjesëmarrësit të eksplorojnë mënyra dhe qasje për të fuqizuar rrjetin e punës kërkimore dhe kapacitetet institucionale.

Huber theksoi se, “përfshirja e inteligjencës artificiale në axhendën e sotme pasqyron vizionin e këtij aktiviteti”.

“Së bashku ne duhet të garantojmë që inteligjenca artificiale të na shërbejë si mjet për të fuqizuar demokracinë dhe jo si sfidë ndaj parimeve të saj”, tha Huber.

Ambasadorja nënvizoi se, “Zvicra qëndron dhe mbetet e palëkundur nga zotimi i saj për të mbështetur zhvillimet parlamentare në Shqipëri dhe atë që quhet aftësi ripërtëritëse demokratike në Shqipëri”.

“Ne pranojmë se nëpërmjet bashkëpunimit në mbarë sektorët dhe diskutimet ne mund të kapërcejmë sfidat e përbashkëta dhe të krijojmë një të ardhme të ndritur për institucionet demokratike”, tha Huber.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit