Moska dhe Kievi kanë intensifikuar sulmet e tyre me dronë dhe raketa, teksa Ukraina raportohet se ka sulmuar Rusinë me raketa amerikane me rreze të gjatë, dhe Kremlini është kundërpërgjigjur duke e sulmuar me një raketë të re balistike hipersonike.

“Në sulmet gjatë natës, armiku kreu një numër rekord të sulmeve me [dronët] Shahed”, thanë Forcat Ajrore ukrainase, duke iu referuar dronëve të prodhimit iranian. Ukraina tha se Rusia lëshoi gjithsej 188 dronë gjatë natës.

Ukraina tha se ka rrëzuar 76 dronë rusë në mbi 17 rajone, ndërkaq 95 të tjerë humbën nga radarët e saj apo u rrëzuan për shkak të ndërhyrjes në sistemet elektronike të tyre.

Moska po ashtu ka sulmuar Ukrainën me katër raketa balistike, Iskander-M, sipas Forcave Ajrore ukrainase.

“Fatkeqësisht, ndërtesat e infrastrukturës kritike janë goditur dhe ndërtesat e banimit janë dëmtuar në disa rajone për shkak të sulmeve masive me dronë”, thanë Forcat Ajrore të Ukrainës.

Shpërthime janë dëgjuar edhe në kryeqytetin ukrainas, Kiev, teksa zyrtarët e qytetit kanë thënë se alarmi për sulme ajrore ishte aktiv për pesë orë, duke shtuar se dhjetë dronë u rrëzuan mbi Kiev.

Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Aktualisht, forcat ukrainase po përballen me vështirësi në betejat në lindje, ku forcat ruse po përparojnë.