I infektuari nga Kamenica kishte kontakt së paku me 15 persona, familjarët s’kanë simptoma

Mos i humb

Një 42-vjeçar nga Kamenica mbrëmë ka rezultuar se është i infektuar me koronavirus. I njëjti kishte hyrë në Kosovë më 18 mars përmes pikës kufitare Dheu i Bardhë, për t’u vendosur më pas në karantinë.

Detaje rreth këtij rasti ka dhënë Drejtoresha për Shëndetësi në Kamenicë, Suna Zajmi.

Zajmi i ka thënë Gazetës Express se i infektuari është shofer i një autobusi, që transporton udhëtarë drejt Gjermanisë dhe Zvicrës.

Sipas saj, ai është kthyer nga Gjermania në Kosovë më 18 mars dhe se është vendosur në karantinë.

“Ai ka qenë shofer i autobusit, pra ka bart udhëtarë për në Gjermani, Zvicër. Herën e fundit ka qenë në Gjermani dhe ka qëndru vetëm një ditë. Ka hyrë në Kosovë më 18 mars, përmes pikës kufitare Dheu i Bardhë. Pas kthimit ka qenë në karantinë. Ditët e para ka shku në QKMF, meqenëse ka qenë i shqetësuar, por nuk kam ndonjë raport se i ka thy rregullat e karantinës”, ka thënë Zajmi.

Zajmi deklaron se e kanë në dorë listën me 14-15 personat me të cilët i infektuari me COVID-19 ka pasur kontakt, derisa thotë se deri tani asnjë prej familjarëve nuk ka shfaqur ndonjë simptomë.

Aktualisht, nuk ka ndonjë rast tjetër të dyshuar për koronavirus.

“E kemi listën me 14-15 persona më kë ka pas kontakt. Aktualisht asnjë prej familjarëve s’ka simptoma. Njëherë morëm informacion për një fëmijë 8-muajsh, por që pas kontrollimit doli se është me grip sezonal. Deri tani nuk kanë ndonjë simptomë, por jemi në konatakt nëse ndonjërit i shfaqen simptomat, do të testohen”, ka thënë Zaimi për Express.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës ka marrë vendim mbrëmë që fshati Topanicë i komunës së Kamenicës të vendoset në karantinë.

Sipas vendimi, kjo masë vendoset për shkak që qytetarët kanë pasur kontakt direkt me personin i cili rezultoi pozitiv me coronavirus.

“Fshati Topanicë, Komuna e Kamenicës shpallet zonë karantinë pasi që banorët e këtyre fshatrave dyshohen se kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë me personat e infektuar me coronavirus COVID-19”, thuhet në vendim.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka konfirmuar sot edhe dy raste të reja me koronavirus, duke bërë që numri i rasteve në gjithë vendin të shkojë në 108.

Sipas IKSHP-së, njëri prej të infektuarve është nga Gjakova dhe tjetri nga Prizreni.

“Sot në mëngjes përfundoi testimi i 24 pacientëve të dyshimtë nga Klinika Infektive, 2 prej të cilëve rezultuan pozitiv. Pacienti nga Gjakova është kontakt i dy familjarëve të rezultuar pozitiv dhe pacienti i dytë pozitiv nga Prizreni është infektuar jashtë shtetit”, thuhet në njoftim.

Koronavirusi, që e shkakton sëmundjen COVID-19, është shfaqur për herë të parë në Kosovë më 13 mars. Për shkak të koronavirusit, autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik. 

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit