Inagurohet zyrtarisht Korridori Jugor i Gazit Natyror

Mos i humb

 

 

Korridori Jugor i Gazit, i cili do të furnizojë Turqinë dhe Europën me burime të gazit nga fusha Shah Deniz-2 në rajonin e Kaspikut, u përurua zyrtarisht në një ceremoni të mbajtur në Terminalin Sangachal në Baku të Azerbajxhanit të hënën.

Si një nga projektet më të mëdha në botë me një vëllim investimesh prej rreth 40 miliardë dollarësh, Korridori Jugor i Gazit prej 3.500 kilometrash përfshin zhvillimin e fushës së naftës Shah Deniz-2, Gazsjellësit të Kaukazit të Jugut, Gazsjellësit Trans Anatolian (TANAP) dhe Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP).

Presidenca e Azerbajxhanit mbajti ceremoninë e inaugurimit në terminalin Sangachal me pjesëmarrjen e presidentit të Azerbajxhanit Ilham Aliyev, Sekretarit të Përgjithshëm të OPEC-ut Mohammed Barkindo dhe përfaqësuesve të shumë vendeve të tjera evropiane.

Duke folur në ceremoni, Aliyev tha se projekti do të kontribuojë shumë në zhvillimin rajonal.

Ai vuri në dukje se projekti u zhvillua në bashkëpunim me Turqinë, Bullgarinë, Gjeorgjinë, Greqinë, Shqipërinë dhe Italinë dhe shtoi se Bosnjë e Hercegovina, Kroacia dhe Mali i Zi do të bashkohen më vonë në këtë projekt.

“Aktualisht kemi 2,6 trilion metra kub të rezervave të gazit natyror, por mendoj se është shumë më tepër se kjo. Ne duam të shesim më shumë gaz në Evropë. Është tregu më i rëndësishëm për ne. Korridori Jugor i Gazit ka ndryshuar hartën energjetike të Evropës”, vuri në dukje Aliyev.

TANAP, zinxhiri më i madh i Korridorit me 1.850 kilometra dhe 16 miliardë metra kub kapacitet të gazit natyror, do të jetë marrësi i parë i gazit deri më 30 qershor.

Ambasadori i Turqisë në Baku, Erkan Ozoral, lexoi mesazhin e Presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdoğan në ceremoninë në të cilën ai e cilësoi projektin si një shembull shumë të mirë të marrëdhënieve rajonale dhe reciproke.

Sipas Ozoral, Erdoğan ka theksuar se Evropa dhe SHBA gjithashtu kanë mbështetur projektin, i cili “do të krijojë diversifikimin e furnizimeve për Turqinë dhe Evropën”.

Turqia do të mbajë një ceremoni për hapjen e TANAP më 12 qershor me pjesëmarrjen e Erdoğan, Aliyev dhe liderëve të vendeve evropiane.

Gazi i parë i TANAP do të dorëzohet më 30 qershor dhe do të transportojë një miliard metra kub gaz natyror deri në fund të këtij viti.

Turqia do të pranojë një kapacitet total të gazit natyror prej gjashtë miliardë metrash kub nëpërmjet TANAP dhe dhjetë miliardë metra kub gaz natyror do të dërgohen në Evropë nëpërmjet gazsjellësit TAP.

TAP pritet të jetë gati për të pranuar gazin e parë deri në vitin 2020.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit