![]()
India ka shprehur “keqardhje” për hapat e njoftuara nga Pakistani për tërheqjen e të dërguarit të saj dhe përkeqësimin e marrëdhënieve diplomatike me New Delhi-n.
Pakistani ndërmori masa ndëshkuese të njëanshme si një formë proteste kundër Indisë e cila tërhoqi statusin e veçantë të rajonit të trazuar Xhamu dhe Kashmir.
Deklarata e lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Indisë kërkoi nga Pakistani që të rishikojë masat për të ruajtur kanalet normale për komunikim diplomatik.
“Ne kemi parë raporte se Pakistani ka vendosur të ndërmarrë disa veprime të njëanshme në lidhje me marrëdhëniet dypalëshe me Indinë. Kjo përfshin degradimin e marrëdhënieve tona diplomatike. Nuk është për t’u habitur që nisma të tilla zhvillimore që mund të adresojnë çdo pakënaqësi në Xhamu dhe Kashmir duhet të perceptohen negativisht në Pakistan, i cili ka përdorur ndjenja të tilla për të justifikuar terrorizmin e tij ndërkufitar”, thuhet në deklaratë.
Zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me statusin e veçantë të Kashmirit, deklarata i cilësoi tërësisht çështje të brendshme të Indisë.
“Kushtetuta e Indisë ishte, është dhe gjithnjë do të jetë një çështje sovrane. Kërkimi për të ndërhyrë në atë juridiksion duke thirrur një vizion alarmist të rajonit kurrë nuk do të ketë sukses”, tha ministria indiane.
Të mërkurën, Pakistani kërkoi nga India të tërheq komisarin e saj të lartë, disa orë pasi Islamabadi njoftoi minimizimin e misionit të tij diplomatik.
Ndërkohë, Gjykata e Lartë e Indisë refuzoi të pranojë një seancë dëgjimore urgjente për një kërkesë të paraqitur nga aktivisti i Kongresit të opozitës, Tehseen Poonawalla, i cili kërkonte t’u jepen fund kufizimeve si ora policore, linjave telefonike, internetit e kanalit të lajmeve në Xhamu dhe Kashmir.
Avokati Suhail Malik, i cili u paraqit për aktivistin Poonawalla, foli për Press Trust of India se ai nuk po shpreh ndonjë mendim për nenin 370, por për t’i dhënë fund kufizimeve që dëmtojnë njerëzit e thjeshtë.
Në Srinagar, udhëheqësi i opozitës në Parlamentin Indian, Ghulam Nabi Azad, u ndalua në aeroport. Ai nuk u lejua të takonte drejtuesit e partisë së të tij, të cilët po agjitojnë kundër shfuqizimit të statusit të veçantë, sipas nenit 370 të kushtetutës indiane.
Mbi 500 punëtorë dhe liderë të rëndësishëm politikë, përfshirë ish-kryeministrat Omar Abdullah dhe Mehbooba Mufti, janë arrestuar pasi qeveria qendrore ndau shtetin në dy territore të bashkimit të administruar nga qendra.


