Indonezi, protesta kundër praktikave të Kinës ndaj muslimanëve ujgurë

Mos i humb

Qindra persona u mblodhën për të protestuar para Ambasadës së Kinës në kryeqytetin e Indonezisë, Xhakartë, kundër praktikave ndaj komunitetit Ujgur nga ana e autoriteteve kineze.

Protestuesit, të organizuar bashkërisht nga shumë organizata joqeveritare, kërkuan të ndërmerren masa për çështjen e ujgurëve.

“Jemi së bashku me ujgurët”, “Shpëtojini ujgurët”, “Kinë, ndale masakrën kundër ujgurëve”, ishin disa nga sloganet e protestuesve, të cilët po ashtu i bënë thirrje qeverisë së Indonezisë të mos ngelet e heshtur përballë këtij problemi.

Gjatë protestës po ashtu u bënë simulime të praktikave të Pekinit ndaj komunitetit musliman Ujgur.

Rreth 500 pjesëtarë të sigurisë u angazhuan rreth ambasadës si rezultat i protestës, ndërsa disa rrugë u bllokuan për qarkullim.

Protesta të ngjashme janë organizuar edhe në qytete të tjera të Indonezisë.

“Duam që Kina të ndalë persekutimin ndaj vëllezërve muslimanë ujgurë që jetojnë në Xinjiang”, tha për AA Edwin Mudhar, i cili ishte pjesëmarrës në protestë.

“Kina bën shkelje të të drejtave të njeriut kundër ujgurëve. Ne duam që qeveria indoneziane të mbrojë muslimanët ujgurë dhe të mos heshtë në lidhje me këtë”, shtoi Mudhar.

Reagime ndaj praktikave të qeverisë kineze ka pasur edhe në nivel ndërkombëtar.

Në muajin gusht, disa organizata të të drejtave të njeriut që morën pjesë në një takim në Gjenevë mbi komunitetet e diskriminuara në Kinë të organizuar nga Komiteti i OKB-së për Eliminimin e Diskriminimit Racor, thanë se autoritetet lokale në rajonin autonom ujgur Xinjiang i privojnë nga liria individët që i cilësojnë si persona me qëndrime politike problematike.

Përfaqësuesit e organizatave pohuan se numri i personave të privuar nga liria pa vendim gjyqësor arrin deri në tre milionë.

Ndërkohë, Human Rights Watch ka njoftuar se qeveria kineze “bën shkelje sistematike të të drejtave të njeriut” ndaj muslimanëve ujgurë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit