Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa në paraqitjen e interpelancës me ministren e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani, pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë pak javë më parë, tha se dikush duhet të mbajë përgjegjësi kur humb jetën një fëmijë në dyert e shkollës.
“Është ngjarje tragjike ngjarja e humbjes së jetës së Martinit dhe plagosjes së Luisit. Manastirliu ishte mësuar si ministre e Shëndetësisë që t’i bënte gjëmën shqiptarëve që vdekjet mos t’i bënin përshtypjet dhe si ministre e Arsimit po bën rekorde në këtë drejtim. Kur vë një të paaftë në krye ngelet përsëri i paaftë dhe froni i shërben për të nxjerrë më shumë në pah injorancën e vet.
A kanë përgjegjësi institucionet shqiptare? Në fakt përgjigjja që duhet të japë ministrja sot jam e bindur se nuk do të ketë përgjigje, është e rëndësishme për secilin prind, është një përgjigje që e pret secili prind që ka fëmijët në shkollat publike. Është prindërit që kanë protestuar për dorëheqjen e Manastirliu. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi kur humb jetën një fëmijë në dyert e shkollës, kur plagoset një fëmijë”, tha Zhupa.
Ndonëse ministrja Manastirliu nuk ishte në sallë pasi u largua në shenjë proteste ndaj gjuhës së deputetes demokrate ndaj deputetit Erion Braçe, Zhupa tha se ministrja “i është fshehur protestës së qytetarëve, Kushtetutës, por duhet të dijë se prindërit e fëmijëve shqiptarë nuk e falin papërgjegjshmërinë e saj”.
Zhupa tha se qeveria ka kriminalizuar arsimin e se duhet një platformë për dekriminalizimin.
“Prindërit e fëmijët shqiptarë nuk e falin zgërdhirjen saj, kriminalizimin e Arsimit. A e dini ju se në vetëm 2 muaj ka humbur jetën një i mitur, është plagosur një i mitur tjetër, është mbyllur një universitet se shiste diploma false, janë arrestuar 7 pedagogë se merrnin lekë në provime, është kapur një pedagoge se komunikonte me bandat, janë dënuar 14 mësues se vendosnin nota fiktive. Është përdorur shkolla e braktisur të Vaut të Dejës si shtëpi bari.
Ju keni kriminalizuar arsimin, duhet një platformë për dekriminalizmin e arsimit. E keni bërë arsimin një çerdhe të njerëzve të inkriminuar”, tha Zhupa.