Intervista/ Edward Snowden: Njerëzit janë ende të pafuqishëm kundrejt përgjimit, por ata janë ndërgjegjësuar

Mos i humb

Pesë vjet pas publikimit të dokumenteve sekrete të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara, përgjegjësi për rrjedhjen e tyre në media, thotë në një intervistë për “the Guardian” se nuk është penduar.

Edward Snowden nuk ka asnjë keqardhje pesë vjet nga publikimi i sasisë më të madhe të dokumenteve top-sekret në histori. Ai është në kërkim nga Shtetet e Bashkuara dhe qëndron në azil në Rusi. Por, ai është i kënaqur me mënyrën sesi publikimet e tij të mbikëqyrjes masive kanë tronditur qeveritë, agjencitë e inteligjencës dhe kompanitë më të mëdha të internetit.

Në një intervistë telefonike për të shënuar përvjetorin e ditës kur “The Guardian” publikoi historinë, ai rikujton ditën kur bota e tij – dhe e shumë të tjerëve anekënd globit – ndryshuan një herë e mirë. Ai kishte shkuar të flinte në dhomën e hotelit në Hong Kong dhe kur u zgjua, lajmi se agjencia e Sigurisë Kombëtare e Shteteve të Bashkuara kishte mbledhur të dhënat telefonike të miliona amerikanëve, po qarkullonte prej disa orësh.

Snowden e kuptoi në atë moment se jeta e tij e vjetër kishte marrë fund. “Isha i trembur, por e gjitha ishte çliruese”, thotë ai. “Kisha ndjesinë e finalizimit, nuk kishte kthim pas”.

Çfarë ka ndodhur pesë vjet prej atij momenti? Ai është një prej të kërkuarve më të famshëm në botë, subjekt i një dokumentari fitues të çmimit Oskar, një filmi të Hollivudit dhe të paktën dhjetë librave. Qeveritë e SHBA-së dhe Britanisë, për shkak të dokumenteve të nxjerra prej tij, janë përballur me sfida ligjore kundër ligjeve të mbikëqyrjes. Ligje të reja janë miratuar në të dyja vendet. Kompanitë e internetit, duke iu përgjigjur reagimit të publikut në lidhje me privatësinë, e kanë kthyer kyçjen e të dhënave në një praktikë të zakonshme.

Snowden, duke peshuar ndryshimet, thotë se disa fushatues për privatësinë kanë shprehur zhgënjim sesi shkuan gjërat, por ai nuk mendon si ata. “Njerëzit thonë se asgjë nuk ka ndryshuar: se ka ende mbikëqyrje masive. Nuk matet kështu ndryshimi. Duhet parë përpara vitit 2013 dhe çfarë ka ndodhur prej asaj kohe. Çdo gjë ka ndryshuar”.

Ndryshimi më i rëndësishëm, thotë ai, është ndërgjegjësimi publik. “Qeveria dhe sektori i korporatave përfitonin nga injoranca jonë. Por tani ne dimë. Njerëzit janë të vetëdijshëm tani. Ata janë ende të pafuqishëm për ta ndaluar survejimin, por ne po përpiqemi. Publikimet e bënë betejën më të barabartë”.

Ai thotë se nuk ndjen keqardhje. “Nëse do kisha dëshiruar të isha i sigurtë, nuk do ta kisha lënë Havajin (ku ai punonte për NSA-në përpara se të fluturonte për në Hong Kong).

Jeta e tij është plot pasiguri, ndoshta tani më shumë se kurrë, thotë ai. Sanktuari i tij në Rusi varet nga humori i qeverisë së Putinit, dhe agjencitë amerikane dhe britanike nuk e kanë falur. Për to, çështja është po aq e freskët sa në fillim, një akt tradhtie që ato thonë që shkaktoi dëm real dhe të panevojshëm ndaj sigurisë së Britaninë dhe aleatëve, në një shkallë që publiku nuk arrin ta kuptojë.

Zemërimi në komunitetet e shërbimeve sekrete në SHBA dhe Britani nuk ka lidhje vetëm me dokumentet që u publikuan – më pak se 1 për qind – por shtrihet edhe për materialet e papublikuara. Ata thonë se u detyruan të punojnë nën supozimin se çdo gjë ku kishte akses Snowden, ishte e kompromentuar dhe duhej të flakej.

Pati një plus për agjencitë. Duke hequr dorë nga kaq shumë, ato u detyruan të zhvillonin dhe instalonin aftësi të reja dhe më të mira, e më shpejt nga sa kishin planifikuar. Një tjetër ndryshim në këtë drejtim erdhi në formën e transparencës. Përpara Snowden, kërkesat nga media për informacione prej agjencive të sigurisë nuk gjenin koment, por tashmë ka më shumë dëshirë për bashkëpunim.

Të tjerë në komunitetin e shërbimeve sekrete, sidomos në SHBA, grindurazi e vlerësojnë Snowden se nisi një debat shumë të nevojshëm se ku duhet të shtrihet kufiri midis privatësisë dhe mbikëqyrjes.

Me ngurrim, eksponentë të inteligjencës pohojnë se Snowden kontribuoi në hartimin e ligjeve të reja. Sipas tyre, një kornizë ligjore më e shëndetshme dhe më transparente tashmë ëshë në zbatim për mbledhje informacioni të domosdoshëm. “Kjo do të kishte ndodhur me gjasa, sigurisht, por veprimet e tij me siguri e kanë përshpejtuar procesin”.

Kongresi amerikan miratoi Aktin e Lirisë në vitin 2015, duke reduktuar mbledhjen masive të të dhënave telefonike. Parlamenti britanik miratoi Aktin e diskutueshëm të Fuqive Hetuese, vitin e kaluar.

Akademikët, si Ross Anderson, i specializuar në sigurinë kibernetike dhe privatësinë, i shohin publikimet e Snowden si një moment ngjizës. “Pohimet e Snowden janë një prej atyre momenteve ndriçuese që ndryshojnë mënyrën sesi njerëzit i shohin gjërat. Ato mund të mos kenë ndryshuar shumë gjërat në Britani për shkak të kulturë sonë të adhurimit të Xhejms Bondit dhe punëve të tij. Por anekënd botës, ato hynë në shtëpinë e çdokujt për të kuptuar se mbikëqyrja është problem”.

Një nga pohimet që do të ketë në shumë ndikim në gjithë botën është përmbajtja e bashkëpunimit midis agjencive të inteligjencës dhe kompanive të internetit. Në vitin 2013, kompanitë amerikane po përfitonin nga BE në negociatat për mbrojtjen e të dhënave. Snowden mbërriti si një bombë në mes të negociatave dhe ligji për mbrojtjen e të dhënave që hyri në fuqi muajin e kaluar, është një pasojë e tij.

Një nga ndikimet më të dukshme të publikimeve të Snowden ka qenë flluska e vogël e verdhë që nisi të dalë në shërbimin e mesazheve WhatsApp në prill 2016: “Mesazhet në këtë bisedë janë të siguruara me kyçje në të dyja fundet”.

Përpara Snowden, kyçje të tilla ishin vetëm për ata që ndjeheshin në shenjestër dhe për paranojakët, pasi gjithë të tjerët nuk i përdornin. I vetmi përjashtim i madh ishte shërbimi i mesazheve të Apple, që ka qenë i kyçur në të dyja fundet e bisedës që prej lançimit të tij në vitin 2011.

Ndryshime të tjera teknologjike që tregojnë ndikimin e Snowden kanë qenë të kufizuara. Fuqizimi i “folësit smart”, lëshuar nga Echo e Amazon, ka lënë të habitur shumë nga aktivistët e privatësisë. Përse, vetëm pak vjet nga skandali i survejimit qeveritar, njerëzit do të donin që me vullnet të instalonin mikrofona gjithnjë të ndezur në shtëpitë e tyre?

“Rebusi në privatësinë e sapogjetur krijuar nga instalimi i një mjeti të ri që literalisht mund të dëgjojë çdo gjë që thua, përfaqëson një zhvillim të ri drithërues në epokën e gjërave të lidhura me internetin”, shkruan ekspertët.

Drejt fundit të intervistës, Snowden risjell në kujtesë një nga pseudonimet e tij të hershme, Cincinnatus, emri i romakut që pas shërbimit publik u tërhoq në fermën e tij. Snowden thotë se ai po ashtu, ndjen se pasi e ka luajtur rolin e tij, është tërhequr për një jetë më të qetë, duke e kaluar kohën me zhvillimin e instrumenteve që ndihmojnë gazetarët të mbrojnë burimet e tyre.

“Nuk mendoj se kam qenë ndonjëherë më i përmbushur”, thotë ai.

Por, ai nuk e shënon përvjetorin me “vetëkënaqësi”, siç thotë. Ka ende shumë për të bërë. “Kundër-sulmi sapo ka nisur”, thotë Snowden. “Qeveritë dhe korporatat kanë qenë në këtë lojë prej një kohe të gjatë, ndërsa ne sapo kemi nisur”.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit