Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, paralajmëroi se vendi i tij do të rrisë nivelin e uraniumit të pasuruar nëse brenda 60 ditëve palët e marrëveshjes bërthamore nuk sigurojnë ruajtjen e interesave të tij nga ky pakt.
Këto komente Rouhani i bëri në një transmetim të drejtpërdrejtë televiziv me rastin e njëvjetorit të tërheqjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) nga marrëveshja bërthamore.
Ai tha se pas tërheqjes së SHBA-së, shtetet e tjera që janë pjesë e marrëveshjes nuk kanë hedhur hapa për t’i ruajtur përfitimet e Iranit përballë sanksioneve amerikane.
“Sipas marrëveshjes, ne jemi të detyruar të pasurojmë uraniumin me 3,67 për qind, por nëse pas 60 ditëve nuk arrijmë ndonjë rezultat me pesë shtetet, atëherë ne do t’i japim fund këtij detyrimi”, tha Rouhani.
Ndryshe, vitin e kaluar, presidenti amerikan Donald Trump tërhoqi vendin e tij nga marrëveshje bërthamore e vitit 2015 midis Iranit dhe vendeve P5+1 (pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Gjermania).
Menjëherë më pas, Washingtoi rivendosi sanksione ekonomike ndaj Iranit, duke shënjestruar sektorin energjetik dhe bankar të vendit.


