“Italia i kushton vëmendje procesit të integrimit europian të Ballkanit”

Mos i humb

Ministri italian i Drejtësisë, Andrea Orlando, po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku u prit në një takim nga ministrja e Drejtësisë e Shqipërisë, Etilda Gjonaj, ndërsa zyrtari i lartë italian theksoi se Italia i kushton një vëmendje të veçantë procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit në Bashkimin Europian.

Pas takimit, Gjonaj dhe Orlando nënshkruan një memorandum bashkëpunimi në fushën e sistemit të drejtësisë, ndërsa mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat. Në fjalën e saj, ministrja e Drejtësisë e Shqipërisë, Gjonaj theksoi se ministri Orlando rikonfirmoi qëndrimin se shteti italian mbështet të ardhmen evropiane të Shqipërisë.

“Me Italinë kemi një histori të gjatë bashkëpunimi dhe shkëmbimi të ndërsjellë. Sot me ministrin Orlando nënshkruam një memorandum bashkëpunimi shumë të rëndësishëm në fushën e drejtësisë dhe në kuadrin e zbatimit të reformës në drejtësi, por njëkohësisht edhe të prioriteteve të Ministrisë së Drejtësisë në katër vitet e ardhshme”, tha Gjonaj.

Sipas saj, memorandumi i bashkëpunimit synon të bëjë hapa konkret përpara në forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Pikat kryesore të këtij memorandumi ishin dhe temat kryesore të diskutimeve me ministrin Orlando, të cilat konsistojnë në një bashkëpunim më të mirë në zbatimin e reformës në drejtësi, si një ndër reformat më të rëndësishme të miratuara në këto 27-vjet. Pjesë e marrëveshjes është forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit gjyqësor, kryesisht në fushën penale ndërmjet dy vendeve, me qellim luftën kundër krimit të organizuar si dhe zbatimin e vendimeve të gjykatave të huaja për sekuestrimin e konfiskimin e pasurive të paligjshme”, u shpreh Gjonaj.

Ndërsa ministri Orlando theksoi se Shqipëria ka bërë hapa para në ndërtimin e një sistemi gjyqësor të efektshëm dhe të konsoliduar.

“E vlerësoj sfidën që Shqipëria ka përpara, sepse kjo nuk është vetëm sfidë e Shqipërisë, por edhe për ne, pasi do të ketë rezultate pozitive edhe për vendin tonë, për bashkëpunimin në luftën kundër armiqve tanë të përbashkët që kemi, duke filluar nga terrorizmi dhe krimi i organizuar. Midis dy vendeve tona ekziston tashmë një përvojë e një bashkëpunimi të shkëlqyer gjyqësor. Sot nis një fazë e re bashkëpunimi. E gjithë kjo zhvillohet në një kuadër, ku Italia mbështet fuqimisht procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Ky memorandum i sotëm do të jetë një sinjal i fortë për mekanizmat evropianë”, deklaroi Orlando.

Duke folur për integrimin e vendeve të Ballkanit në BE, Orlando tha se Italia i kushton një vëmendje të veçantë këtij procesi. “Sot me ministren do të shkruajmë një letër të përbashkët, e cila do t’i drejtohet komisionit, sepse mendojmë që ky memorandum nuk ka të bëjë vetëm me dy vendet tona, por ka të bëjë edhe me rrugëtimin që Shqipëria po bën drejt integrimit evropian, por edhe vëmendjen që i kushton Italia integrimit evropian të vendeve të Ballkanit”, tha Orlando.

Ministri italian i Drejtësisë, Orlando, zhvilloi një takim edhe me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, si dhe me kryeministrin e vendit, Edi Rama./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit