Ivica Daçiç fut Shqipërinë në “Listë të Zezë”

Mos i humb

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Iviça Daçiç ka futur “në listën e zezë” të tij Shqipërinë, si një vend që nuk e ka trajtuar mirë ambasadorin e Beogradit në Tiranë, Miroljub Zariç.

E përditshmja e Beogradit Veçernije Novosti, ka publikuar një urdhër të formosur nga shefi i diplomacisë serbe, sipas të cilit ai nuk do të presë asnjë ambassador nga vendet që i kanë “trajtuar ftohtë” ambasadorët serbë në botë.

Ambasadori i Shqipërisë në Beograd është Ilir Boçka, një diplomat karriere me profesion gazetar, i cili realisht ka qenë gjithmonë korrekt dhe nuk ka provokuar kurrë incidente.

Në Tiranë, Miroljub Zariç është një ambasador i tipit “klasik” pasi ka që në 1990 që nuk lëviz nga Shqipëria ku ka kaluar të gjithë shkallët e karrierës diplomatike. E njeh shumë mirë Shqipërinë, por edhe gjuhën.

Sipas gazetës serbe, Shqipëria dhe Mali i Zi janë në krye të listës së rajonit, ku çuditërisht nuk bën pjesë Kroacia një nga vendet më problematike me Beogradin.

“Trajtim i ftohtë”, Daçiç konsideron atë që ministrat e jashtëm të vendeve pritëse nuk kanë takuar asnjëherë ambasadorët e Serbisë.

Dhe nëse shikohet lista që publikohet nga Veçernie Novosti, përveç Shqipërisë, aty hyjnë edhe vende të tjera të rëndësishme si SHBA, Turqia, por edhe Kina me të cilën Serbia ka marrëdhënie të ngushta.

Por duket se çështja është më e komplikuar se kaq. Kjo pasi nuk bëhet fjalë se nuk janë ndaluar kontaktet, por thjesht vendet përkatëse kanë përdorur rrugë alternative.

Për shembull, qeveria e Edi Ramës duket se nuk përdor shumë lidhjet me ambasadorin serb, pasi përdor linqet direkte që ka me njerëzit e Aleksandër Vuçiçit.

Po ashtu edhe Turqia me Rasim Lajiçin apo SHBA sërish me vetë Vuçiçin apo stafin e tij.

VN thekson p.sh. se këshilltarët e Edi Ramës dhe ata të Vuçiç mbajnë lidhje direkte dhe kjo e ka turfulluar Daçiçin i cili nuk shkon mirë me Presidentin, madje edhe me Kryeministrin.

Veçernie Novosti ka publikuar një dokument të Ministrisë së Jashtme Serbe, ku thekson se nga 69 ambasadorë të Serbisë në botë, 24 nuk janë pritur kurrë nga ministri i jashtëm i vendit përkatës.

Bëhet fjalë për ambasadorë të vendosur në 11 vende europiane si Italia, Belgjika, Holanda, Austria, Finlanda, Britania e Madhe, Danimarka, Spanja, Portugalia, Franca dhe Gjermania.

Por përveç BE-së, ambasadorët serbë nuk janë pritur nga ministrat e jashtëm në SHBA, Turqi, Indi, Indonezi, Japoni, Korenë e Jugut, Kina, Emiratet e Bashkuara Arabe, Etiopi dhe Kenia.

Mundësia për të vënë frenat në mikpritjen diplomatike të Serbisë doli në pah pas një incidenti të fundit të shkaktuar nga ambasadori ukrainas në Beograd, Oleksandër Aleksandroviç, i cili për herë të parë bëri deklarata të forta kur tha se Daçiç nuk e ka pritur kurrë.

Daçic u përgjigj duke thënë se ambasadori i Serbisë në Kiev, pavarësisht se nuk ka bërë komente të papërshtatshme për vendin pritës, ka të njëjtin trajtim./te sheshi/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit