Japoni, ish-ministri i Drejtësisë dënohet me 3 vjet burg për blerje të votave

Mos i humb

Një anëtar i partisë në pushtet dhe ish-ministër në Japoni sot u dënua me 3 vjet burg për korrupsion gjatë zgjedhjeve të vitit 2019, transmeton Anadolu Agency (AA).

Vendimi për ish-ministrin e Drejtësisë, Katsuyuki Kawai vjen ndërsa Japonia po përgatitet për zgjedhjet e përgjithshme në fund të këtij muaji, ku Partia Liberale Demokratike (LDP) në pushtet do të kërkojë një mandat të ri.

Kawai u dënua për blerjen e votave për gruan e tij për zgjedhjet e Dhomës së Lartë në vitin 2019, raportoi “Kyodo News” me qendër në Tokio.

Gruaja e tij, Anri Kawai, kishte fituar vendin në zgjedhje, por u dënua me 16 muaj nga një gjykatë në janar. Ajo gjithashtu u pezullua me 5 vjet për mospasje të drejtë në zgjedhje.

Ai është ministri i parë në më shumë se 10 vjet që “është dënuar me burg”. Edhe pse ai ishte deklaruar i pafajshëm vitin e kaluar në gusht, më vonë u tërhoq dhe pranoi shumicën e akuzave në fillim të këtij viti në mars, duke kërkuar dënim me kusht.

“Përgjegjësia është vetëm mbi mua dhe unë jam gati t’i pranoj të gjitha”, tha Kawai në një deklaratë pasi tërhoqi ankesën kundër dënimit të tij. “Kërkoj falje ndaj njerëzve që kanë pranuar para të gatshme”, tha ai.

Rasti i tij shkaktoi kritika dhe erdhi si një goditje ndaj LDP-së në pushtet e cila është nën presion intensiv për përgjigjen e saj të dobët ndaj pandemisë së COVID-19 e cila ka goditur ekonominë e tretë më të madhe në botë.

Kawai ishte ministër në kabinetin e ish-kryeministrit Shinzo Abe. Abe dha dorëheqje nga posti i kryeministrit vitin e kaluar për çështje shëndetësore.

Një gjykatë e Tokios në fillim të këtij qershori zbuloi se ish-ministri i Drejtësisë u shpërndau para 100 anëtarëve të asamblesë lokale në zonën zgjedhore të Anrit në provincën Hiroshima për të blerë vota.

Partia e tij i kishte siguruar Anrit 150 milionë jen (1.3 milionë dollarë) për zgjedhjet ndërsa opozita po kërkon hetime nëse Kawai përdori të njëjtat para për të blerë vota për gruan e tij. LDP ka mohuar shkeljet.

Interesante është se Zyra e Prokurorit Publik Japonez hoqi rastin e ryshfetit kundër 100 individëve që dyshohet se morën para nga Kawai.

Japonia, vendi me mbi 126 milionë banorë, do të zgjedhë 465 deputetë më 31 tetor për Dhomën e Ulët të Parlamentit dy-dhomësh të vendit, ku LDP është ende e preferuar pavarësisht stresit pandemik.

Partia në pushtet ka dominuar skenën politike të vendit në pjesën më të madhe që nga themelimi i saj në vitin 1955.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit