Japonia dhe Vietnami rrisin bashkëpunimin për çështjen e Detit të Kinës Jugore

Mos i humb

Japonia dhe Vietnami ranë dakord të bashkëpunojnë rreth çështjeve rajonale, duke përfshirë edhe çështjen e diskutueshëm të Detit të Kinës së Jugut, njoftuan mediat lokale.

Duke folur para gazetarëve së bashku me homologun e tij vietnamez Nguyen Xuan Phuc në Hanoi, kryeqytetin e Vietnamit, Kryeministri i Japonisë, Yoshihide Suga, e quajti Vietnamin një “gur themel” i përpjekjeve për realizimin e një “Indo-Paqësori të lirë dhe të hapur”, si dhe u zotua për kontributin e vazhdueshëm të Japonisë për “paqe dhe prosperitet në rajon”, sipas agjencisë së lajmeve Kyodo.

Suga, në udhëtimin e tij të parë jashtë shtetit që kur mori detyrën muajin e kaluar, tha se me homologun e tij vietnamez u dakorduan për eksportin e pajisjeve dhe teknologjisë ushtarake, duke përfshirë aeroplanë patrullues dhe radarë, në Vietnam.

Sipas kryeministrit japonez, këto pajisje të fundit do të ndihmojnë në përmirësimin e aftësive të mbikëqyrjes së Vietnamit. Hanoi gjithashtu ka një mosmarrëveshje me Kinën mbi Detin e Kinës Jugore. 

Pretendimet për sovranitetin territorial mbi ishujt dhe pjesët më të vogla në Detin e Kinës Jugore kanë qenë një burim i stërzgjatur i tensioneve dhe mosbesimit në rajon.

Deti, një kalim shumë i rëndësishëm për një pjesë të konsiderueshme të transportit botëror, kufizohet nga Brunei, Kamboxhia, Kina, Indonezia, Malajzia, Filipinet, Singapori, Tajvani, Tajlanda dhe Vietnami.

Kina pretendon gati të gjithë 3,5 milionë kilometra katrorë të Detit të Kinës Jugore, afërsisht 90 për qind të ujërave të tij.

Të dy udhëheqësit ranë gjithashtu dakord të rifillojnë fluturimet e rregullta midis Tokios dhe Hanoit së shpejti dhe të lejojnë punëtorë të kualifikuar të udhëtojnë pa karantinë 14-ditore, njoftoi agjencia.

Suga tha se Phuc gjithashtu ra dakord për bashkëpunim lidhur me çështjen e Koresë së Veriut dhe tha se Vietnami mbështet përpjekjet e vendit të tij për të rikthyer qytetarët e saj të rrëmbyer nga Koreja e Veriut në vitet 1970 dhe 1980.

Nga ana e tij, Phuc mirëpriti investimet e Japonisë në vendin e tij.

Suga do të vizitojë Xhakartën të martën për t’u takuar me Presidentin e Indonezisë, Joko Widodo.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit