Juncker për Brexitin: Kjo ishte marrëveshja më e mirë që mund të arrihej

Mos i humb

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, në lidhje me samitin e Brexitit, është shprehur se “kjo ishte marrëveshja më e mirë që mund të arrihej”.

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk, dhe kryenegociatori i Komisionit Europian për Brexitin, Michel Barnier, kanë zhvilluar një konferencë të përbashkët për shtyp pas samitit të Bashkimit Europian për Brexit.

Pas miratimit nga 27 vendet anëtare të unionit të marrëveshjes për largimin e Britanisë së Madhe nga BE (Brexit) dhe të dokumentit të deklaratës politike që do të përcaktojë në të ardhmen marrëdhëniet me Britaninë, Juncker ka vënë në dukje se nuk ishte i lehtë përcaktimi i një qëndrimi të përbashkët të 27 shteteve anëtare të BE-së.

“Kjo ishte marrëveshja e vetme dhe më e mirë që mund të arrihej. Parlamenti i Britanisë që do të miratojë marrëveshjen duhet të ketë parasysh këtë”, tha Juncker, duke tërhequr vëmendjen se kanë arritur të sigurojnë që vendet e BE-së të bashkëveprojnë në unitet.

Juncker ka rikujtuar se Spanja ka patur disa rezerva në çështjen e Gjibraltarit, por është arritur një dakordim për këtë çështje.

Pasi ka shprehur keqardhje për largimin e Britanisë nga BE-ja, Juncker tha se “Kjo nuk është një fitore për integrimin e Evropës”.

Ndër të tjera Juncker ka tërhequr vëmendjen se mes BE-së dhe Britanisë do të vazhdojnë punime intensive dhe është shprehur se “Britania për BE-në nuk do të jetë vend si vendet e tjera të treta”.

Ndërsa Tusk ka theksuar se janë të vendosur që të vazhdojnë partneritetin në të ardhmen me Britaninë dhe tha që “përpara nesh ka ende një negocim dhe miratim të vështirë”.

Kryenegociatori për Brexitin, Barner, ka theksuar se “Sot me Britaninë kemi arritur një marrëveshje të drejtë dhe të ekuilibruar. Kjo ishte marrëveshja më e mirë që mund të arrihej për kushtet aktuale”.

“Tani marrëveshja duhet të miratohet. Të gjithë duhet të marrin përgjegjësitë”, tha Barner, duke rikujtuar se punimet janë kryer në një mjedis konstruktiv./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit