Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit do t’i shtohen dy gjyqtarë.
Pasi u konfirmuan në detyrë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, gjyqtarët Ardit Mustafa dhe Bib Ndreca do të rikthehen në detyrë pranë GJKKO-së.
Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, që u mblodh të enjten dhe mes të tjerave shqyrtoi kërkesën për rikthimin në detyrë të dy gjyqtarëve, që kaluan procesin e vetting-ut.
Mustafa dhe Ndreca, ish-gjykatës në Gjykatën e Krimeve të Rënda, u shkarkuan nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por pasi kërkuan rivlerësimin e vendimit në KPA, dy gjykatësit fituan të drejtën për t’u rikthyer në detyrë. KLGJ me vendimin numër 282, të datës 29.05.2024 të KLGJ-së emëron gjyqtarin Ardit Mustafa dhe me vendimin Nr. 283, datë 29.05.2024 të KLGJ-së emëron gjyqtarin Bib Ndreca. Ndërsa Ardit Mustafa fillon punën më 19 qershor 2024.
Shtimi i dy gjyqtarëve, e çon në 11 numrin e togave të zeza tek Gjykata e Posaçme Antikorrupsion.


