Koalicioni saudit do t’i përgjigjet raportit të OKB-së për Jemenin

Mos i humb

Koalicioni i udhëhequr nga sauditët ka bërë të ditur se do t’i përgjigjet raportit të Kombeve të Bashkuara (OKB), që sugjeroi se krime të luftës mund të jenë kryer në Jemenin e shkatërruar nga lufta.

Koalicioni theksoi se “do të marrë një qëndrim të përshtatshëm mbi raportin pas një shqyrtimi ligjor të tij”.

Ekspertët e OKB-së sot thanë se individë në qeverinë e Jemenit dhe forcat e koalicionit kryen sulme në Jemen që mund të përbëjnë krime lufte.

“Grupi i ekspertëve ka baza të arsyeshme për të besuar se individë në qeverinë e Jemenit dhe koalicioni mund të kenë kryer sulme në kundërshtim me parimet e proporcionalitetit dhe masave paraprake që mund të përbëjnë krime të luftës”, tha raporti prej 41 faqeve i lëshuar nga ekspertët e OKB-së, që ishte mandatuar nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Sulmet ajrore të koalicionit, sipas raportit shkaktuan “viktima më të drejtpërdrejta civile pas i goditën zona banimi, tregje, funerale, dasma, ambiente burgimi, anije civile dhe objekte mjekësore”.

Zyra e të Drejtave të Njeriut e OKB-së tha se që nga marsi i vitit 2015 rreth 6.660 civilë u vranë dhe 10.563 u plagosën në konfliktin e Jemenit, si dhe paralajmëroi se shifrat reale do të jenë “dukshëm më të larta”.

Raporti gjithashtu theksoi krimet e forcave të Houthit, duke përfshirë vrasjen e civilëve dhe rekrutimin e fëmijëve.

Jemeni është shkatërruar nga konflikti që nga viti 2014, kur rebelët Shia Houthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit.

Konflikti u përshkallëzua një vit më vonë, kur Arabia Saudite dhe aleatët e saj nisën një fushatë të gjerë ushtarake ndaj pozicioneve kryengritëse./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit