Komisioni hetimor për shërbimet publike të Sterilizimit dhe të Check-up në shëndetësi vijoi sot punimet me seancën dëgjimore me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.
Ministrja foli për qëndrimin e saj rreth këtij koncesioni pas marrjes së detyrës si ministre, në 12 shtator të vitit të kaluar.
“Që nga marrja e detyrës jam njohur me kontratat koncesionare, janë dy kontrata që janë vlerë e shtuar për shërbimin shëndetësor, duke përmirësuar aspekte të përditshmërisë të gjithë stafeve shëndetësore, por edhe në shërbim të shëndetit të qytetarëve. Sa i përket ndjekjes së këtyre kontratave, të dyja kanë grupe pune monitoruese që ndjekin zbatimin e tyre, hartohet një plan vjetor i monitorimit, grupet e punës bëjnë monitorimin në terren. Bëhet edhe monitorim financiar, pastaj raportet mujore dhe vjetore dërgohen në Ministrinë e Financës”, tha Koçiu.
Ministrja theksoi se çdo raport për koncesionet i është vënë në dispozicion Kontrollit të Lartë të Shtetit. “Ka një korrespondencë të vazhdueshme mes Ministrisë dhe koncesionarit dhe rekomandimet i janë kaluar KLSH-së. Nisja e procedurave të rinegociimit, kur KLSH ka rekomanduar për një pikë të caktuar, sigurisht që ka ndodhur. Për sa kohë kemi një kontratë ligjore në fuqi, duhet të jenë të dyja palët dakord për çdo amendim, pasi kontrata ka vazhduar si në momentin që është lidhur duke iu përmbajtur detyrimeve ligjore”, shtoi ministrja.
Zëvendëskryetari Plarent Ndreca për Komisionin Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-up në Shëndetësi tha se ka një pretendim për mënyrën si janë përdorur setet kirurgjikale në kontratën e sterilizimit.
“Institucionet e ngritura pranë këtyre kompanive hartojnë raportet e tyre, lidhur me monitorimet që grupet bëjnë periodikisht. Nuk ka një pretendim të tillë për setet kirurgjikale. Për treguesit e performancës financiare, nuk kemi tejkalim të tavaneve buxhetore, nga 63.600 ndërhyrje të parashikuara janë realizuar 63 mijë e 409 ndërhyrje, pra 99% realizime të ndërhyrjeve kirurgjikale pa kaluar tavanet buxhetore. Raportet e monitorimit, ato periodiket i kalojnë Ministrisë së Financave, më pas ato bëhen publike dhe ndiqen procedurat përkatëse”, tha ministrja Koçiu.
Lidhur me pretendimin sipas Ndrecës, se ka analiza fiktive të check up-it që nuk kryhen nga qytetarët, pra me individë që nuk paraqiten për analiza, ministrja Koçiu tha se nuk ka të dhëna për një pretendim të tillë.
“Absolutisht që nuk ka një pretendim të tillë. Analizat që kryhen në sajë të kësaj kontrate, janë vlerësuar jashtëzakonisht nga qytetarët. Nuk ka asnjë mundësi që të jenë tejkaluar personat apo institucionet përkatëse, për të ndjekur dhe zbatuar detyrimet kontraktuale, qoftë stafet mjekësore, kontratën e koncesionarit etj”.
Nga pala e opozitës, i pranishëm ishte deputeti Petrit Vasili, i cili i kërkoi shpjegime ministres Koçiu për analizat e pakryera, të cilat sipas tij, vazhdon i paguan shtetit shqiptar.
“Shoqëria jonë ka nevojë të kujtohet për diagnostikimet e hershme. Shifrat na tregojnë që gratë jo shumë shpesh kontrollohen për mamografi apo një ekzaminim të nevojshëm. Ne duhet ta kthejmë në një kulturë jetese, ndërgjegjësimi, duhet të bëjmë analiza periodike, të ekzaminohemi. Është bërë punë e mirë, kur qytetarët marrin përgjigjet e analizave, për t’iu referuar mjekut specialist dhe si pasojë për të shmangur një gjendje të agravuar”, u përgjigj Koçiu.
Deputeti Vasili e pyeti ministren Koçiu nëse ka një vendimmarrje, pasi afati 10-vjeçar i këtij koncesioni është drejt fundit.
“Kur koncesionet janë drejt përfundimit, ato i nënshtrohen një analize performance, mbi zbatueshmërinë dhe përfitimet që kanë sjellë dhe nuk është vetëm detyrë e Ministrisë së Shëndetësisë, por edhe shumë institucioneve të tjera që vlerësojnë aspekte financiare, demografike, të reformave, pra një proces vlerësimi që kërkon një grup ekspertësh që do të angazhohen për vijueshmërinë e saj”, tha Koçiu.