Sollier përmes kësaj letre që ka siguruar Ballkani.info, kishte kërkuar nga de Serpa Soares një interpretim ligjor të Kombeve të Bashkuara për kërkesën e dorëzuar asokohe nga ana e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL.
Në letrën e tij, de Serpa Soares kishte theksuar se si pjesë e procesit të rikonfigurimit, me kalimin e kohës, UNMIK-u ka pushuar së ushtruari përgjegjësitë operacionale në fushën e sundimit të së drejtës, veçanërisht në fushat e policisë, drejtësisë dhe doganave. Megjithatë, sipas tij, UNMIK-u vazhdon të lehtësojë, aty ku është e nevojshme dhe e mundur, aranzhimet për angazhimin e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.
Prandaj, ai kishte thënë se UNMIK-u vazhdon të zbatojë Memorandumin e Mirëkuptimit me INTERPOL-in, përmes, ndër të tjera, shërbimit si pikë e caktuar e kontaktit në Kosovë.
Kjo përgjigje e de Serpa Soares dërguar Sollierit e konfirmon domosdoshmërinë e pranimit të Kosovës në INTERPOL edhe për vetë interesin e vendeve të treta, përfshirë këtu edhe vendet fqinje, duke pasur parasysh se duhet të plotësohet boshllëku i krijuar nga pushimi i ushtrimit të përgjegjësive operacionale me rikonfigurimin e misionit të UNMIK-ut në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë.
De Serpa Soares ndër të tjera ishte shprehur se kërkesa nga autoritetet e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL është një çështje që u takon ekskluzivisht INTERPOL-it dhe organeve të saj. Ai kishte thënë se varësisht nga vendimi që do të merret nga INTERPOL-i dhe organet e saj, do të mund të jetë e nevojshme që të rishikohet Memorandumi i Mirëkuptimit i nënshkruar nga UNMIK-u dhe INTERPOL-i më 20 dhjetor 2002.
Në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale, INTERPOL, e cila do t’i zhvillojë punimet në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, gjatë muajit nëntor të këtij viti, pritet të votohet për kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë./Kosova Post/