
Zëdhënësi i Partisë qeverisëse për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në Turqi, Ömer Çelik, kritikoi zëdhënësin e Departamentit amerikan të Shtetit Robert Palladino lidhur me komentet e tij mbi zgjedhjet në Turqi.
“Deklarata e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit mbi procesin zgjedhor në Turqi është një deklaratë që duhet të dënohet”, tha zëdhënësi Çelik para gazetarëve në selinë e partisë në Ankara.
Çelik shtoi se ishte “e pakuptueshme” që zëdhënësi amerikan bëri një deklaratë të tillë që, sipas tij, mund të interpretohet si ndërhyrje në procesin zgjedhor dhe rezultatet në Turqi.
“Zgjedhjet e lira dhe të drejta janë thelbësore për çdo demokraci, që do të thotë pranim i rezultateve legjitime të zgjedhjeve, që është thelbësore”, tha Palladino në një konferencë shtypi.
“Ne nuk presim asgjë më pak nga Turqia, e cila ka një traditë të gjatë dhe të krenarishme në këtë drejtim”, shtoi ai.
Ndërkaq, zëdhënësi i AK Partisë tha se “asnjë organ apo deklaratë e ndonjë shteti të huaj nuk është burim i legjitimitetit të rezultateve të zgjedhjeve në Turqi”.
Votuesit në Turqi më 31 mars shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të zgjedhur kandidatët për kryetarë të komunave, përfaqësues të fshatrave ose njësive të vogla administrative (Muhtar), anëtarë të këshillave komunalë, anëtarë të këshillave të përgjithshëm provinciale, si dhe anëtarë të këshillave dhe asambleve të fshatrave.


