Komisioni Hetimor i Kuvendit për Trajtimin e të Dhënave të Sistemit TIMS është duke diskutuar kalendarin e dëshmive, për të cilin ka një dakordësi në parim.
I pari që do të thirret për t’iu përgjigjur interesit të ligjvënësve për çështjen e rrjedhjes së të dhënave nga sistemi TIMS do të jetë ministri i Brendshëm Taulant Balla, dëshmia e të cilit është parashikuar të merret të mërkurën, në orën 17:00.
Gjatë punimeve në komision, pati diskutime mbi praninë në Komision të ish-drejtorit të departamentit të IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, i cili ndodhet në masën e sigurisë “Arrest në Shtëpi”, për shkak se është nën hetim nga Prokuroria e Tiranës për këtë çështje.
Nënkryetari i Komisionit, deputeti socialist Toni Gogu, propozoi që kërkesat për thirrjen e dëshmitarëve të miratohen veçmas për secilin prej tyre, jo në bllok.
“Unë e çmoj shumë përpjekjen tonë për të bërë një hetim tërësor, por çdo minutë që e shpenzojmë duke folur ne e marrim nga koha që iu duhej lënë dëshmitarëve. Propozoj të fillojmë votimin me kalendarin, por të marrim vendime për secilin dëshmitar. Në këtë mënyrë akomodojmë më pas dhe kërkesat e tjera të anëtarëve të komisionit. Pra, të mos i miratojmë në bllok kërkesat, sepse kemi dhe persona që duhet leje nga prokuroria për ta thirrur, siç është rasti Muça. Votojmë kalendarin në parim dhe pastaj kërkesat për secilin dëshmitar”, deklaroi Gogu.
Deputeti i Partisë Socialiste, Nasip Naço tha se kalendari duhet të rregullohet që e premtja të mos jetë pjesë e ditëve kur të thirren dëshmitarët.
Ndërkohë deputeti i Partisë Demokratike Asllan Dogjani, kërkoi praninë e kryeministrit Edi Rama në komision. “Është e papranueshme që kryeministri Edi Rama, i cili ka mbajtur qëndrime publike për çështjen, të mos jetë i pranishëm në komision, ashtu siç duhet të jetë dhe Bledi Çuçi, ish-ministër i Brendshëm”, tha Dogjani. Sipas tij, “Kryeministria është i vetmi institucion që nuk ka sjellë përgjigje me shkrim për pyetjet që i janë drejtuar dhe ky duhet të jetë shqetësim për këtë komision. Si emërohet një drejtor në mes të gushtit, pa asnjë kriter, një person që ishte hetuar për sistemin TIMS, pa certifikatë sigurie? Dyshoj se është organizatë kriminale”.
Komisioni hetimor parlamentar i TIMS-it ka në fokus hetimin e rrjedhjes së të dhënave nga sistemi TIMS. Për hetimin parlamentar janë kërkuar dokumente dhe informacione shtesë nga një sërë institucionesh shtetërore si Kryeministria, Ministria e Brendshme, Shërbimi Informativ Shtetëror, SPAK dhe Trupi Diplomatik i akredituar në Shqipëri. Komisioni hetimor u ngrit me kërkesën e Partisë Demokratike.
Ky është kalendari i propozuar dhe që pritet të miratohet
Datë 15.05.2024, ora 17:00
1. Ministri i Brendshëm, Z. Taulant Balla
2. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Z. Besnik Dervishi
Datë 17.05.2024, ora 11:00
1. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Z. Muhamet Rrumbullaku
2. Ish Drejtor i Departamentit të IT në Policinë e Shtetit, Z. Ervin Muça (arrest shtëpie)
3. Drejtor i Sistemeve të Policisë në Policinë e Shtetit, Z. Enri Ndoni
Datë 27.05.2024, ora 17:00
1. Ish Përgjegjës i Sektorit IT në Policinë e Shtetit, Z. Ardit Muço
2. Ish-Drejtor i Agjencisë Mbikqyrjes Policore, Z. Ardi Veliu
Datë 29.05.2024, ora 17:00
1. Drejtor i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Z. Florian Sulejmani
2. Drejtor i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Z. Saimir Boshnjaku
3. Drejtor i Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Z. Zef Laska
Datë 31.05.2024, ora 11:00
1. Drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, Z. Neritan Nallbati
2. Ish-Drejtor i Autoritetit Kombëtar të Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Z. Dorian Tola
3. Drejtore e Shërbimit Informativ të Shtetit, znj. Vlora Hyseni
4. Drejtore e Krimit Kibernetik, në Policinë e Shtetit, znj. Ervina Gjana
5. Ish-Drejtor i Sistemeve, në Policinë e Shtetit, Z. Besjan Tanuzi


