Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin i Kuvendit, shqyrtoi sot projektligjin “Për Komunikimet Elektronike në Republikën e Shqipërisë”.
Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Enkelejda Muçaj, tha se, “ndryshimet ligjore synojnë përafrimin e legjislacionit për Komunikimet Elektronike, sipas standardeve më të mira europiane dhe praktikave në promovimin e investimeve të avancuara, që rrisin aksesin në shërbimet publike, private”.
Sipas saj, këto risi legjislative janë në funksion të objektivit të qeverisë shqiptare për zhvillimin e Strategjisë Shqipëria 2030 dhe integrimin e vendit në tregun unik europian për Komunikimet Elektronike.
“Projektligji rishikon rregullimet në fuqi, në lidhje me spektrin e frekuencave, regjimin e shërbimit universal, rregullat për mbrojtjen e konsumatorit, numeracionin dhe komunikimet e emergjencave, rregullat për aksesin dhe rregullimin e tregut në tërësi, bazuar në një rregullim më simetrik”, u shpreh Muçaj.
Ndërsa kreu i AKEP, Tomi Frashëri, bëri të ditur se, Shqipëria vlerësohet sot nga Unioni Ndërkombëtar i Komunikimeve (UNK) në shifrat e mbi mesatares botërore për sa i takon paketave dhe shërbime në komunikimet elektronike, për disa tregues të sektori.
Sipas tij, gjithashtu po sipas UNK-s, Shqipëria nuk e kalon nivelin 2% të të ardhurave mujore të pajtimtarit, për shpenzimet e komunikimeve elektronike, të përcaktuar nga Unioni Ndërkombëtar i Komunikimeve.
Frashëri vuri në dukje investimet në rritje të operatorëve të këtij sektori në vendin tonë, për të përmirësuar ndjeshëm shërbimet mobile, teksa tha se “ndryshimet ligjore në pr/ligjin “Për Komunikimet Elektronike në Republikën e Shqipërisë”, synojnë mbrojtjen e konsumatorit dhe vijnë në kontekstin e zhvillimeve të ndodhura në sektorin e komunikimeve elektronike, zhvillimeve të teknologjive digjitale, përfshirjes në rregullim dhe të aplikacioneve, apo shërbimeve të reja, që mundësojnë mjetet e komunikimit elektronik, bazuar në praktikën evropiane”.
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, pas diskutimeve në parim, miratoi sot projektligjin “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”.


