Nisma e deputetëve të Kuvendit për hartimin e draftligjit për Mediat ka alarmuar komunitetin e gazetarëve.
Kjo iniciativë e deputetëve, pa u konsultuar paraprakisht me gazetarët, shihet si tendencë e politikës për futjen nën kontroll të mediave.
Gazetarë dhe përfaqësues të Asociacionit të Gazetarëve kanë shprehur shqetësimet për moszbatim të ligjeve aktuale që lidhen me punën e mediave.
Nga ana tjetër, iniciuesi i hartimit të draftligjit për mediat, Nait Hasani, thotë se janë shumë arsye se pse Kosova duhet të ketë ligj për media.
Hasani përmend disa modele të shteteve të BE-së për këtë ligj, Italinë dhe Gjermaninë.
Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias, thotë se fillimisht duhet të ketë debat publik dhe analizë ligjore lidhur me atë se a ka nevojë të draftohet ligji për media dhe jo të vendoset në mënyrë arbitrare.
Më 2012, qeveria e udhëhequr nga PDK-ja kishte tentuar të kriminalizonte fyerjen dhe shpifjen. Por, pas reagimeve të shumta dhe protestave të organizuara nga gazetarët dhe shoqëria civile, ato nene ishin hequr nga Kodi Penal i Kosovës./Kosova Post/