Në Maqedoninë e Veriut janë konfiruar 4 raste të reja të koronavirusit, konfirmoi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipce, i cili tha se qeveria ka përcaktuar që në një pjesë të territorit të vendit, më saktësisht në komunat e Dibrës dhe Qendër Zhupës, të shpallet gjendje krize, (AA).
Me katër rastet e reja, numri i personave të konfirmuar me koronavirus është rritur në 13, prej të cilëve një paciente është shëruar.
Në konferencën për media, ministri Filipçe tha se sot kanë arritur materiale për t’u testuar nga 10 persona nga Qendra e Shëndetit Publik në Dibër, që kishin lidhje me grupin e dytë të pacientëve të shtruar në spital, ku 24 persona janë në vetizolim shtëpiak.
“Dhjetë persona treguan shenja të sëmundjeve të frymëmarrjes, epidemiologu lokal mori materialet dhe i dërgoi për ekzaminim, katër janë pozitive. Të katër rastet kanë paqyrë të lehtë klinike. Kjo ishte arsye e drejtpërdrejt që të shpallet gjendje krize në Dibër dhe Qendër Zhupë dhe menjëherë pas kësaj në seancë të Qeverisë u mor vendim për të kufizuar lëvizjen brenda dhe jashtë këtyre vendeve”, tha Filipce.
Ai informoi se në këtë moment në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup ndodhen 9 pacientë, përfshirë edhe pacienten e parë për të cilën tashmë po përgatiten dokumentet për lirimin nga spitali, duke shtuar se kjo do të ndodh sot ose nesër. Nga pacientët e tjerë, shtatë janë nga Dibra dhe një tjetër nga Shkupi.
Ministri gjithashtu tha se 4 personat nga Dibra që janë konfirmuar me koronavirus, do të hospitalizohen në Klinikën e Sëmundjeve Infektive.
Sipas ministrit Filipçe, pacientët janë në gjendje të qëndrueshme, përveç një pacientes nga Dibra, e cila ishte pranuar me bashkëshortin e saj. Ai tha se ajo ka përkeqësim të mëtejshëm dhe se është në prag të vendosjes së pajisjeve të frymëmarrjes mekanike.
Pas paraqitjes së koronavirusit, i cili zyrtarisht njihet si Covid-19, në qytetin kinez Wuhan në dhjetor të vitit të kaluar, ai është përhapur në më shumë se 120 vende të botës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shpallur pandemi botërore të koronavirusit.


