Koronavirusi, fushata zgjedhore në Maqedoninë e Veriut do t’u përshtatet rekomandimeve

Mos i humb

Kryeministri i qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, ka organizuar një takim koordinues me liderët e partive politike në lidhje me situatën aktuale të koronavirusin në vend, (AA).

Pas përfundimit të takimit koordinues, kryeministri Spasovski mbajti një konferencë për media në të cilën theksoi se të gjithë liderët kanë pasur qëndrim të përbashkët se “shëndeti i qytetarëve është më i rëndësishmi”, duke theksuar se të gjithë janë zotuar se do të shfaqin përgjegjësi.

“Është tejet e rëndësishme që të respektohen rekomandimet, konkluzionet dhe vendimet e qeverisë që miratohen në bazë të organeve kompetente për ballafaqimin me koronavirusin në Ministrinë e Shëndetësisë. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpalli pandemi dhe kjo është edhe një arsye më shumë për përgjegjësi të shtuar tek të gjithë ne”, tha Spasovski.

Kryeministri tha se çdo vend ka të drejtë të miratojë masa autentike, duke shtuar se shqyrtohen masa shtesë që duhet të përforcojnë masat aktuale.

“Në seancën e qeverisë që do të mbajmë sot, do të shqyrtojmë propozimin e epidemiologëve që të ndalohen të gjitha tubimet publike dhe private, pa marrë parasysh numrin e qytetarëve të pranishëm. Do të shqyrtojmë edhe propozimin që kafenetë dhe restorantet të punojnë me orar të shkurtuar dhe me kapacitet të zvogëluar të mysafirëve”, theksoi Spasovski.

Ai tha se “është përgjegjësi e jona” që të zbatojmë rekomandimet, duke theksuar se partitë dhe liderët politik kanë një shkallë më të lartë të përgjegjësisë.

Në Maqedoninë e Veriut janë caktuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 12 prill, ndërsa më 23 mars zyrtarisht duhet të fillojë fushata parazgjedhore. Kryeministri Spasovski u bëri thirrje partive politike që fushatën parazgjedhore ta përshtatin ndaj masave të propozuara nga institucionet.

“Është shumë e rëndësishme që të gjitha partitë politike të shfaqin përgjegjësi para shëndetit të qytetarëve, t’i ndjekin rekomandimet e institucioneve dhe aktiviteteve të tyre dhe fushatën e zgjedhjeve ta përshtatin në bazë të asaj që është rekomanduar në masat e institucioneve”, theksoi Spasovski.

Në lidhje me mundësinë e prolongimit të zgjedhjeve, ai tha se kjo mbetet të vendoset varësisht nga zhvillimi i ngjarjeve në të ardhmen.

Pas përfundimit të takimit koordinues, deklarata për mediat dhanë edhe liderët e partive politike të cilët thanë se në fillim të fushatës, konform rekomandimeve, nuk do të mbajnë tubime dhe do të orientohen më shumë në fushatë nëpër rrjetet sociale.

Përpos kryeministrit Spasovski, në takimin koordinues të pranishëm ishin edhe zv/kryeministrat Radmilla Shekerinska, Milla Carovska, Bujar Osmani, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Në takim gjithashtu ishin të pranishëm edhe kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, ai i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, si dhe nënkryetari i Alternativës, Lulzim Aliu, bashkë me delegacionet partiake.

Rikujtojmë se numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me koronavirus në Maqedoninë e Veriut është 9, prej të cilëve një paciente është shëruar.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit