Kosova dhe Donald Trump

Mos i humb

Nga Adelheid Feilcke

Ajo që tani po ndodh me Kosovën, po ndjek logjikën e rendit të ri botëror, të rendit botëror të Donald Trumpit ose të Valdimir Putinit e jo logjikën e OKB-së apo të BE-së. Dhe kështu nuk është çudi që avokati më i rëndësishëm i kosovarëve është SHBA-ja, ndërsa Rusia mbështet qëndrimet e Serbisë. Rusia në anën e Serbisë, SHBA-ja si fuqia mbrojtëse e Kosovës. Këtu në periferi të Europës po piketohen sferat e interesit: Pasi Mali i Zi vitin e kaluar u anëtarësua në NATO edhe Maqedonia pas zgjidhjes së çështjes së emrit, mund t’i bashkohet së shpejti aleancës mbrojtëse perëndimore, ndërsa në Ballkan do të mbeten vetëm tri vende me përkatësi politike të pasqaruar: Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Serbia. Edhe pas vitesh dhe dekadash përpjekjesh diplomatike të përsëritura, sidomos nga ana e BE-së, është arritur shumë pak në drejtim të shtendosjes dhe nuk dihet se ç’drejtim po merr situata.

Po në këtë linjë edhe zhvillimet e fundit në Kosovë janë një simptomë e dobësisë së organizatave shumëpalëshe, sidomos të BE-së dhe të OKB-së. Në një përpjekje për të balancuar interesat kundërthënës të anëtarëve të tyre, ata nuk janë në gjendje të japin deklarata të qarta. Vërtet që, të alarmuar me ngjarjet e javëve të fundit, të gjithë apelojnë për moderim, por këto apele nuk mbeten pa efekt. Sidomos BE-ja ka humbur jo vetëm simpatinë, por edhe autoritetin, sepse ajo nuk është në gjendje ta mbajë fjalën për perspektivën e anëtarësimit, pasi në radhët e BE-së tendenca kundër integrimit të Ballkanit Perëndimor nuk po bie, por po rritet. Politikanët e Ballkanit Perëndimor kanë kohë që e kanë kuptuar këtë dhe po ndjekin agjendat e tyre: Këto kanë të bëjnë me ruajtjen e pushtetit personal dhe me interesat kombëtarë në ekonomi dhe çështje të sigurisë. Bota e bukur e vlerave të një Europe të bashkuar e demokratike nuk ndodhet më në plan të parë. Dhe kështu krijohen hapësira veprimi që nuk kanë si synim parimor bashkëveprimin e ndërsjellë në rajon, por realizimin e interesave të veçantë – edhe duke vendosur kufizime, siç janë tarifat doganore prej 100 për qind ndaj mallrave serbë dhe krijimi i Ushtrisë së Kosovës. Ëndrra për t’i bashkuar të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor në një zonë ekonomike duke evituar kështu konfliktet e shtetësisë tani për tani duket se është venitur.

Në vend të kësaj po shohim lojë me muskuj. Kundërshtarët kanë zënë pozicionet. E nga kjo përfitojnë të dyja palët. E parë nga perspektiva e tyre, deklaratat e presidentit të Serbisë dhe të Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ishin tërësisht të suksesshme: Nga OKB-ja pati vetëm disa apele për moderim, por pa presion, pra, asgjë konkrete. Shumë më e rëndësishme: Të dy presidentët ishin në gjendje t’u tregonin njerëzve të tyre brenda vendit, se ata i përfaqësuan dhe i mbrojtën me dinjitet interesat e tyre para të gjithë botës. Kësisoj, tensionet aktuale po i forcojnë presidentët përkatës. Dhe po u vijnë në ndihmë atyre të shmangin vëmendjen nga problemet e shumta që kanë secili në vendin e vet.
Themelimi i Ushtrisë së Kosovës vërtet që në radhë të parë është një akt simbolik. Por Kosova kështu na tregon qartazi se mund t’i referohet të drejtës së saj si shtet sovran dhe po paraqitet me një vetëdije të re. Dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë dhe 20 vjet pas luftës në Kosovë, njerëzit nuk duan më të jenë qytetarë të dorës së dytë, duke pasur përreth vende që janë anëtare në organizatat ndërkombëtare e qytetarët e të cilëve gëzojnë lirinë e udhëtimit. BE-ja, nga ana tjetër, ende nuk po arrin të angazhohet në mënyrë aktive për Ballkanin Perëndimor dhe ta kuptojë atë si rajonin e shanseve. Vendet e saj ua refuzojnë kosovarëve të drejtën e udhëtimit pa viza, por nga ana tjetër kërkojnë heqjen e tarifave doganore. Kjo është e drejtë me logjikën e Europës, por jo me logjikën “rendit të ri botëror”. Edhe dialogu i udhëhequr nga BE-ja midis Serbisë dhe Kosovës ka ngecur në vend. Prandaj Kosova kërkon nga SHBA-ja që ajo të përfshihet në dialog. E kjo nuk të habit! Tani u bënë të njohura edhe letrat që presidenti amerikan Donald Trump u ka dërguar presidentëve Thaçi e Vuçiç, ku i fton ata në Shtëpinë e Bardhë, për të festuar një “marrëveshje historike”. Kjo na kujton “Camp David”. Por ende nuk ka marrëveshje, e as një dialog konstruktiv. E për sa është kështu, Europa ka shansin të ndërhyjë e të tregohet më e vendosur në përfaqësimin e interesave të saj dhe të mos ta lërë këtë rajon të rëndësishëm e të lashtë të Europës në mëshirën e fatit ose të fuqive të tjera me influencë.

Shënim i Kosova Post: Adelheid Feilcke është drejtoresh për marrëdhënieve ndërkombëtare në Deutsche Welle (DW). Në vitin 1981, fillon karrierën e saj gazetareske si redaktore e shtypit. Para kësaj, ka punuar edhe si gazetare nëpër radiostacionet rajonale dhe kombëtare si WDR dhe Deutschland Radio. Në vitin 1992 kalon në DW ku dhe themelon emisionin në gjuhën shqipe. Është gazetare dhe redaktore me përvojë sidomos për tema të krizave dhe paqes. Ka studiuar antropologjinë kulturore dhe ka magjistraturë në etnomuzikologji në vitin 1990. Në vitin 1993 merr diplomën e dytë të masterit në menaxhimin e kulturës.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit