Kosova gjatë vitit 2016 ka marrë donacione në vlerë prej 164 milionë euro, u tha në takimin e mbajtur sot të Forumit të nivelit të lartë në organizim të Ministrisë së Integrimeve Europiane.
Në takimin përveç kryeministrit Ramush Haradinaj dhe ministrave të Qeverisë së Kosovës morën pjesë edhe shefja e Zyrës së BE-së, Natalya Apostolova, ambasadori i SHBA-ve Greg Delawie dhe shumë diplomatë tjerë të akredituar në Kosovë.
Kryeministri Haradinaj shprehu falënderime për mbështetjen dhe donacionet. Ai theksoi se kanë kaluar thuajse dy dekada nga lufta në Kosovë dhe gjatë gjithë kësaj kohe kanë arritur donacione të mëdha, dhe se Kosova e sotme është e tillë falë punës së përbashkët të Kosovës, BE-së, SHBA-ve dhe shumë vendeve tjera individuale. Haradinaj tha se populli dhe Qeveria e Kosovës janë të vetëdijshëm se me donacionet nuk marrin vetëm para, por edhe obligime që të ndërtohet Kosova e demokratizuar, e cila respekton qytetarët e saj dhe që është e përgjegjshme.
“Qeveria e Kosovës para vetes ka shumë sfida, por vetëm me punë të përbashkët të të gjitha këtyre investimeve dhe donacioneve do të jep rezultat përfundimtar. Kosova do të jetë partner i vërtetë dhe do të rris përgjegjësinë e saj në menaxhimin me paratë publike dhe donacionet, me theks të veçantë në luftën kundër korrupsionit”, porositi kryeministri.
Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, deklaroi se Kosova është një demokraci e re dhe BE-ja vazhdon ta mbështesë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.
“Punojmë me Kosovën në reformat ekonomike dhe zbatimin e ligjit për të ardhur deri te stabiliteti politik”, tha ajo.
Apostolova theksoi se ka ardhur koha që Kosova nga Zyreja e saj të merr menaxhimin me donacionet, dhe se prioritet duhet të jetë sektori gjyqësor, ndryshimi i saktë i Kodit penal, si dhe miratimi i ligjit kundër konfliktit të interesave, ligjit për prokurorinë shtetërore dhe ligjit për përgjegjësinë gjyqësore.
Njëkohësisht, Greg Delawie, ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) theksoi se para Kosovës janë dy prioritete, avancimi i sundimi të ligjit dhe arsimi. Ai tha se ka ardhur koha që të miratohet ligji mbi prokurorin disiplinor, meqë kjo do të ndihmonte kontrollin e pushtetit, si dhe transparenca dhe përgjegjësia në gjyqësorin e Kosovës.
Ministrja e Integrimeve Europiane, Dhurata Hoxha, duke prezantuar Raportin vjetor për koordinim të donacioneve në vitin 2016, theksoi se donacionet në vlerë prej 164 milionë euro janë ndarë në formë të ndihmës. Në mesin e donatorëve më të mëdhenj edhe më tej janë, siç theksoi Hoxha, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zvicëra dhe Gjermania, ndërsa pjesa më e madhe e parave i kushtohet qeverisjes dhe shoqërisë civile, saktë 57 milionë, më pas arsimit 17.6 milionë, menaxhimit me ujërat dhe ujërat e zeza 14 milionë, investimit në përmirësimin e infrastrukturës 10 milionë dhe në mbështetjen e sipërmarrësisë 9.5 milionë euro./Rtv islam/