Kosovë, mbahet ceremonia e ndërrimit të komandës së KFOR-it

Mos i humb

Në shtabin e KFOR-it në Prishtinë u organizua ceremonia e ndërrimit të komandës ndërmjet komandantit në largim të KFOR-it, gjeneral majorit Giovanni Fungo dhe komandantit të ardhshëm të KFOR-it, gjeneral major Salvatore Cuoci.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli dhe Enver Hoxhaj, përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë, si dhe të institucioneve të ndryshme vendore.

Në fjalën e tij, presidenti Thaçi falënderoi gjeneral majorin Fungo për punën e tij për të forcuar, siç tha ai, paqen dhe stabilitetin në Kosovë, ndërsa i uroi sukses komandantit të ri të KFOR-it i uroi sukses. Ai poashtu theksoi se KFOR-i vazhdon të gëzojë besimin më të lartë të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Siç e kam thënë edhe vitin e kaluar, KFOR-i në Kosovë jo vetëm ruan paqen por edhe e ndërton paqen. E duke e forcuar paqen në vendin tonë, ndërton paqe në tërë rajonin e Ballkanit”, tha presidenti Thaçi.

Duke folur për FSK-në, presidenti Thaçi tha se falë bashkëpunimit me KFOR-in dhe NATO-n në përgjithësi, FSK-ja sot është një forcë profesionale, multietnike, në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ai shtoi se FSK tani ështe e gatshme për kompetenca të reja dhe për një mision të ri.

Presidenti ka dekoruar gjeneralin Fungo me Medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë.

Ndërsa, komandanti në largim i KFOR-it, Giovanni Fungo, duke e quajtur misionin e KFOR-it në Kosovë të rëndësishëm, tha se ishte i nderuar që i ishte besuar një detyrë e tillë.

“Motoja e misionit tim ka qenë besimi dhe përkushtimi. Njerëzit e Kosovës e kanë besuar KFOR-in në të njejtën mënyrë sikurse KFOR-i që ka qenë i përkushtuar për njerëzit në Kosovë”, tha Fungo.

Cuoci: KFOR-i do të vazhdojë të ndihmojë institucionet e Kosovës

Pas ceremonisë së ndërrimit të komandës, komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta në Napoli, Admirali James G. Foggo III dhe komandanti i sapoemëruar i KFOR-it u prononcuan për media.

Komandanti i sapoemëruar tha se si komandanti i 22-të i KFOR-it mezi pret të bashkëpunojë me qytetarët dhe institucionet e Kosovës.

“Motoja e këtij misioni do të jetë ‘përkushtim i qëndrueshëm’. Kjo nënkupton se ne do të vazhdojmë të ndihmojmë institucionet e Kosovës për stabilizim dhe demokratizim dhe gjithashtu që ta vazhdojnë rrugën për një shtet dhe rajon më të mirë. Ne do të bëjmë më të mirën në këtë drejtim”, tha Cuoci.

Ndërsa, komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta në Napoli, Admirali James G. Foggo, në pyetjen e gazetarëve lidhur me transformimin e FKS-së në Forcat e Armatosura të Kosovës tha se kjo çështje duhet të zgjidhet nga institucionet vendore duke nënvizuar se transformimi duhet të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese.

Foggo po ashtu bëri thirrje për Kosovën dhe anëtaren e fundit të NATO-s, Malin e Zi, që të dialogojnë për demarkimin e kufirit duke theksuar se fqinjësia me një shtet anëtar të NATO-s është një gjë pozitive për Kosovën./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit