Kosovë, partitë opozitare kritika Qeverisë për menaxhimin e krizave

Mos i humb

Partitë opozitare në Kosovë e quajnë të paaftë dhe jo kompetente Qeverinë e Kosovës.

Sipas tyre, ekzekutivi ka dështuar plotësisht gjatë vitit 2022, duke mos ofruar zgjidhje për qytetarët në krizën ekonomike dhe energjetike, por edhe duke prodhuar kriza të reja. Në anën tjetër, në ekzekutiv thonë se viti 2022 ka qenë vit i arritjeve, por edhe sfidave.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, thotë për KosovaPress, se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë asnjë punë pozitive gjatë vitit 2022.

“Jemi ballafaquar me probleme të shumta që kanë të bëjnë me krizën e madhe që ka kapluar vendin tonë dhe e cila ka prekur gjitha shtresat. Kemi pasur probleme dhe po kemi probleme me energjinë, me çmimet që po ngritën pafundësisht. Kemi pasur një degradim të situatës ekonomike të popullatës.

Sot qytetarët e Kosovës janë shumë më të varfër sesa kanë qenë para 1 viti. Po i përmendi këto se kemi një qeveri që nuk ka bërë asnjë reagim, ndërhyrje që këto sado pak të zbuten.

Mendoj se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë asnjë punë pozitive gjatë këtij 1 viti. As në ëndërr nuk kisha mundur të parashoh një qeveri kaq të dobët dhe jo kompetente në raport me mandatin që janë duke ushtruar”, thotë ai.

Kritika më të ashpra ndaj punës së Qeverisë së Kosovës adreson deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

Ndërkaq, analisti politik, Gazmir Raci, thotë se Qeveria e Kosovës gjatë vitit 2022 është ballafaquar me sfida më shumë si pasojë e ndikimit të luftës në Ukrainë.

“Janë disa sfida që jemi ballafaquar si Kosovë gjatë këtij viti. Sfida e parë kishte të bënte me luftën e paprovokuar në Ukrainë dhe ndikimin që pati direkt në rritjen e inflacionit dhe pastaj në rritjen e çmimeve dhe të jetesës edhe të qytetarëve të Kosovës. Qeveria u mundua që përmes pakove të ringjalljeve ekonomike të ndihmojë, sidomos shtresën sociale. Kjo ishte një sfidë që mori energjinë e saj.

Pastaj edhe sfida e dialogut dhe raporteve të pazgjidhura ende me Serbinë e kanë bërë Qeverinë e Kosovës më të koncentruar në këtë dimension. Ka pasur fusha ku nuk kemi pasur progres të theksuar, sidomos në sektorin e shëndetësisë, kishim probleme të theksuara gjatë tërë vitit”, deklaron Raci.

Në anën tjetër, të kundërtën e thotë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili vitin 2022 e quan të suksesshëm.

“Ne jemi shumë të lumtur që do të kemi një rritje ekonomike prej 4 % të Bruto Produktit Vendor, pasi të hiqet inflacioni. Vjet e kemi pasur 10.7 % të Bruto Produktit Vendor dhe janë rritur eksportet për 22 % sivjet, janë rritur të hyrat doganore për mbi 11 %, janë rritur të hyrat tatimore për gati 22 % dhe janë rritur investimet të huaj direkte për 47 përqind.

Gjithashtu kemi pasur në prill pakon e ringjalljes ekonomike prej 100 të cilës ia kemi bashkangjitur në shtator pakon e përballje me inflacion 150 milionë euro dhe unë besoj që kjo e dyta ka ndikuar edhe në kursim të energjisë elektrike prej 15 % për amvisëri për muajin nëntor të këtij viti, krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar. Rezervat shtetërore për 15 herë dhe 5 mijë gra janë punësuar me masën 1.3, me që rast janë punësuar gjithsej persona me aftësi të kufizuar 239, 119 burra dhe 120 gra sepse ky vit ishte shpallur vit i personave me aftësi të kufizuara.

Ajo çfarë duhet të përmendet është që tashmë do të kemi një projektligj të ri dhe ka kaluar në Kuvendin e Kosovës dhe është bërë ligj, është ligjin për pagat dhe ndonëse kemi pritur më gjatë, po e rregullojmë barazinë e brendshme, ku paga më e lartë e presidentes do të jetë vetëm 1.5 herë më e lartë se sa e mjekut specialist, do të jetë vetëm 3.12 herë se sa e ushtarit të thjeshtë dhe do të ketë një nivel të përafërt midis pagës së profesorit të rregullt, prokurorit apo gjyqtarit dhe mjekut specialist në anën tjetër”

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit