Kosovë, përfaqësues të institucioneve diskutojnë me familjarët e të pagjeturve

Mos i humb

Qendra Burimore për Personat e Zhdukur organizoi takimin mujor të përbashkët me familjarët e personave të zhdukur si dhe udhëheqësit e institucioneve përkatëse për këtë çështje.

Seanca e mbajtur sot në Prishtinë ka pasur qëllim informimin e familjarëve të të pagjeturve të luftës së fundit në Kosovë, rreth të gjeturave në terren, me panel informues nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, Instituti i Mjekësisë Ligjore i Kosovës si dhe IML i EULEX-it.

Kreu i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Jahja Lluka tha se çështja e të pagjeturve të Kosovës po provohet të politizohet në vazhdimësi nga Beogradi zyrtar.

“Fatkeqësia është që çështja e të zhdukurve nga Beogradi po bëhet përpjekje për t’u politizuar. Për mua është shumë e gabueshme 20 vjet pas luftës të merremi ende me politizimin e mbetjeve mortore”, tha ai.

Duke folur për shtatë mbetjet mortore të gjetura në Gjakovë gjatë këtij viti, pesë nga ta malazezë ndërsa dy serbë, Lluka tha se është bërë përpjekje që kjo çështje të politizohet nga Serbia.

“Nuk është ndonjë fshehtësi, ua them që rasti i fundit, i shtatë mbetjeve mortore që janë gjetur në Gjakovë është munduar që të politizohet në skajshmëri. Kemi bërë shumë përpjekje, kemi pasur marrëveshje me komisionin e Malit të Zi dhe në fund, në bazë të marrëveshjeve të cilat i kemi arritur që këtë punë të mos e politizojmë”, tha Lluka.

Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu, tha se në nëntë muajt e parë, janar-shtator, Instituti i Mjekësisë Ligjore i ka kryer 27 punime (zhvarrime në fushë), prej të cilave 25 janë kryer në Kosovë dhe 2 janë kryer në Serbi.

“Gjatë këtyre operacioneve të realizuara së bashku me ekspertët e EULEX-it janë gjetur 13 trupa ku njërit trup i është marrë vetëm mostra, sa për ri-identifikim, apo vërtetësi të identitetit. Gjithashtu janë pranuar mbi 20 rezultate pozitive nga Instituti i Mjekësisë Ligjore i EULEX-it. Dhe këto rezultate janë ndarë në 13 identifikime të reja si dhe shtatë ribashkime të pjesëve të trupave të cilët më herët janë varrosur”, tha Gërxhaliu.

Zhvarrime ka pasur, siç tha Gërxhaliu anë e kënd Kosovës, në Prizren, Istog, Klinë, Skenderaj, Fushë Kosovë, Rahovec, Ferizaj, Deçan, Suharekë.

Në Kosovë ende mungojnë rreth 1.600 persona të pagjetur që nga lufta e fundit në Kosovë, në vitin 1998-99.

Shoqatat e Familjarëve të Personave të Zhdukur vazhdimisht kanë vlerësuar se çështja e personave të zhdukur duhet të shtrohet në dialogun Kosovë-Serbi, ndërsa një gjë e tillë është përmendur si kusht që do ia vënë Serbisë edhe nga dy-partitë e para Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës në garën zgjedhore të 6 tetorit të zgjedhjeve parlamentare.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit