Kosovë, shënohet Dita e përdoruesve të karrocës

Mos i humb

Me moton “Ne k’shtu lëvizim”, me basketboll dhe vallëzim në karroca sot në qendër të Prishtinës u shënua 1 Marsi – Dita Ndërkombëtare e përdoruesve të karrocës në organizim të HANDIKOS.

Personat me aftësi të kufizuara në karroca me kujdestarët e tyre dhe vullnetarët e HANDIKOS-it, si dhe organizatat e tjera të shoqërisë civile, shëtitën nga sheshi ‘Skënderbeu’ deri te sheshi ‘Zahir Pajaziti’, ku më vonë pasuan loja e basketbollit ulur dhe vallëzimi.

Afrim Maliqi, drejtor dhe themelues i OJQ HANDIKOS, organizatë për personat me aftësi të kufizuara tha se qëllimi i shënimit të kësaj dite është për të treguar anën pozitive të karrocës dhe rëndësinë e tyre për pjesëmarrjen e plotë të personave me aftësi të kufizuara në shoqëri si dhe nevojën që ata kanë për pajisjet ndihmëse.

“Nga ana tjera tregon edhe problemet me të cilat ballafaqohen personat me aftësi të kufizuara gjatë lëvizjes, duke patur parasysh se infrastruktura në vendin tonë është jashtëzakonisht e papërshtatshme dhe në qoftë se një person me aftësi të kufizuara nuk e ka lirinë e lëvizjes, si qytetarët e tjerë, konsiderohet se është i diskriminuar. Prandaj, personat me aftësi të kufizuara, në aspektin e lëvizjes, ende konsiderohen të diskriminuar”, tha Maliqi.

Sipas tij, HANDIKOS është organizata e vetme që furnizon personat me aftësi të kufizuara që nga vitet 1990. Maliqi po ashtu thekson paradoksin, se HENDIKOS furnizon me karroca edhe institucionet e Kosovës, në vend se të jetë anasjelltas. Gjithashtu, si problem theksoi moszbatimin e ligjit nga institucionet përgjegjëse për rehabilitimin, lirinë e lëvizjes dhe furnizimin me pajisje ndihmëse.

“Unë çdo ditë përdori karrocë dhe pa karrocë nuk mund të lëvizi, por lëvizi vetëm në vendet ku ka qasje”, tha Maliqi. Në Kosovë, kjo ishte shënimi i parë i Ditës Ndërkombëtare të përdoruesve të karrocës, e cila në mbarë botën shënohet që nga viti 2008.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit