Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zgjedhë të hënën kryetarin e ri.
Në njoftimin e KLP-së bëhet e ditur se mbledhja do të zhvillohet më datë 28 mars, ora 11:00, në prezencë të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe të përfaqësuesve nga Ministria e Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm dhe Programi OPDAT.
Mësohet se kandidati i vetëm në këtë garë është Alfred Balla, i cili aktualisht ushtron detyrën e zëvendëskryetarit.
Balla është zgjedhur nga Kuvendi, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë si përfaqësues i Shoqërisë Civile.
Ai ka përfunduar studimet e larta për drejtësi në vitin 1991 pranë “Universitetit të Tiranës”; studimet pasuniversitare, master shkencor në të drejtën penale në vitin 2012 pranë Universitetit “Justiniani I” dhe mban titullin Doktor i Shkencave Juridike (e drejtë penale) nga viti 2020 pranë “Universitetit Europian të Tiranës”.
Në vitet 1991-1998 ka punuar në detyrën e prokurorit të sektorit gjyqësor, zv/prokurorit të Rrethit dhe prokurorit të Rrethit në prokuroritë Fier e Lushnjë.
Në vitet 1998-2003 dhe 2007-2012 ka ushtruar profesionin e lirë si avokat. Në vitet 2003-2006 ka punuar pranë Këshillit të Ministrave si inspektor në departamentin e Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsionit. Në vitet 2012-2017 ka punuar në pozicionin si Këshilltar Ligjor pranë Gjykatës së Lartë.
Gjatë viteve të punës është angazhuar në organizma joqeveritare të shoqërisë civile me fokus drejtësinë penale dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Balla ka kryer një sërë trajnimesh profesionale brenda dhe jashtë vendit. Ka ushtruar dhe ushtron aktualisht edhe detyrën e pedagogut të jashtëm pranë universiteteve të ndryshme në lëndët e drejtë zakonore, procedurë civile, e drejtë penale e posaçme dhe e përgjithshme, praktikë profesionale etj.
Mandati i tij kushtetues 5-vjeçar përfundon në datën 18 dhjetor 2023.


