Komisioni Qendror Zgjedhor ka rrëzuar kërkesën e opozitës për shkarkimin nga detyra të Kershnik Hajdarit, Kryetar i Bashkisë së Kuçovës, i cili rezulton i dënuar në Greqi për “kalim të paligjshëm të kufirit” në vitin 1999, por që nuk e kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit.
Kryekomisioneri i Komisionit Qendror Zgjedhor, Ilirian Celibashi, pasi dëgjoj palët theksoi se kjo shkelje nuk përbën kusht për shkarkimin nga detyra.
“Jemi para një fakti ku subjekti vetë-deklarues, kryetar i bashkisë së Kuçovës, ka paraqitur formularin e vetë-deklarimit. Në gjykimin dhe vlerësimin e tij, ai nuk ka paraqitur një të dhënë që lidhet me një proces penal administrativ, vendimi është penal, në një kohë të caktuar të zhvilluar në Greqi. Në një vlerësim të tij, ky dënim ka qenë i panevojshëm për t’u deklaruar ose e ka harruar, kjo s’ka rëndësi në arsyetimin tonë. Kjo e dhënë nuk e përfshin në kushtet e ndalimit për shkak të veprës penale që ka marrë dënimin përkatës”, tha Celibashi.
“Edhe në respektim të precedentit të krijuar nga ky institucion që prej vitit 2020, ne kemi mbajtur qëndrimin që s’ka detyrim subjekti vetë-deklarues për të paraqitur në formularin e vetë-deklarimit rrethana që nuk e ndalojnë që të marrin zyrën publike. Ky është një qëndrim i konsoliduar prej KQZ. Janë disa raste, si Zef Hila, të gjitha pyetjeve që lidhen me procedime, ndalime i është përgjigjur me jo, se nuk e ndalojnë që të kandidojë si deputet. Në vlerësim tim qëndron bindja që një subjekt që ka detyrimin për shkak të angazhimit që të plotësojë një formular, s’ka detyrim të përfshijë të dhëna që nuk përbëjnë shkak për të kandiduar. Vlerësoj që s’ka shkak ligjor që kreu i bashkisë Kuçovë t’i ndërpritet mandati”, tha Celibashi.
Lefter Maliqi, i cili kandidoi me logon e Bashkë Fitojmë përballë Hajdarit në zgjedhjet e 14-majit të Bashkisë, i pranishëm në sallë e cilësoi këtë vendim një “turp, skandal. Ne e kemi votuar vetë në parlament, që kur ke deklaratë të rreme, duhet të hiqet mandati. E vërteta do të dali një ditë”, tha Maliqi.
Ndërkohë, më herët Avokati Franc Nuri, i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, u shpreh se nuk ka rëndësi sa është masa e dënimit, por ligji e detyron që ai ta deklarojë dhe prandaj duhet shkarkuar.
“Mandati duhet ndërprerë menjëherë për shkaqet si vijon, nuk ka rëndësi masa apo lloji i dënimit, sipas ligjit ka rëndësi nëse kjo gjë është deklaruar apo jo në formular. A është i dënuar zotëria me vendim të formës së prerë? Prokuroria e Përgjithshme thotë po. A e ka deklaruar në formular? Përgjigja është jo. Çfarë parashikon ligji dhe vendimi i Kuvendit? Parashikon ndërprerje të menjëhershme të mandatit, qoftë edhe një vendim administrativ. Pak rëndësi ka masa e dënimit, rëndësi ka që vendimi është i formës së prerë dhe nuk është deklaruar”, tha Franc Nuri.
Theodhori Sollaku, avokati i Kreshnik Hajdari, u shpreh se kërkesa duhet rrëzohet pasi shkelja e gjetur nuk është pjesë e veprave të cilat ndalojnë kandidimin apo ushtrimin e këtij funskioni.
“Ne kemi një rast precedent të Qerim Ismailajt, ku KQZ mori një vendim për mos ndërprerje mandati, në të njëjtat kushte që jemi sot. Nuk ka asnjë shkak për të justifikuar ndërprerjen mandatit të Kreshnikut. Dënimi apo ndalimi i tij është i vitit 1999, ku Hajdari ishte në moshën 16 vjeç është kapur nga autoritetet greke për kalim të paligjshëm të kufirit. Është bërë një procedurë që nuk dihet nëse ka qenë penale apo administrative”, tha ai.
“Dënimi është një qortim shoqëror i vitit 1999. Është një masë për të mitur. Në finale, ligjvënësi, ka parashikuar që nëse merren masa të tilla, quhet person i padënuar. Pra ne kërkojmë pushim të çështjes”, tha Sollaku.
Pas këtyre diskutimeve, Kryekomisioneri Celibashi vendosi të mos i ndërpres mandatin Kryebashkiakut të Kuçovës.